Valon Bela vendos t’i falë sulmuesit

Drejtori Ekonomik i Klinikës së Gjinekologjisë në Shkup, Valon Bela i cili u përfshi në një incident të armatosur ku si pasojë përfundoi i plagosur në këmbë, ka vendosur që t’i falë sulmuesit, ende pa u zbardhur rasti nga policia. Këtë e ka bërë të ditur vet Bela përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, përcjell Portalb.mk.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq, dashamirë, gazetarë e intelektualë.

Besoj se tashmë jeni të informuar për rastin tim, sulmin që m’u bë ku unë përfundova i plagosur.

Pa dashur të futem në detale, dëshiroj të mbaj vëmendjen diku tjetër ku besoj se interesi është më i madh dhe mund të vlerësohet si kontribut i imi ndaj të mirës së përgjithshme.

Ka dy ditë që jam kthyer në shtëpi dhe po marrë shërimin e caktuar nga mjeku dhe falënderoj Zotin që dita ditës po bëhem më mirë. Dua të falënderoj të gjithë miqtë dhe dashamirët që janë shqetësuar, më kanë telefonuar dhe ata të cilët edhe më kanë vizituar gjatë kohës sime në spital.

Nisur nga fakti se unë vij nga një familje, e cila ka inkorporuar brenda vetes vlera të larta morale, patriotike e fetare, dhe duke ditur se përpjekjet e mia fillimisht si student, nëpër luftërat e fundit kombëtare, në sektorin civil dhe në politikë aktive, gjithmonë kanë patur për qëllim kontributin tim (dikund më pak e dikund më shumë) ndaj popullit tim të përvuajtur, tani që ndodhem para një situate tepër sfiduese për mua, dua të vazhdoj të kontribuoj më tej sepse incidentet janë edhe shans për t’u ngritur e mira mbi të ligën dhe shans për të dëshmuar se dimë të rreshtohemi aty ku duhet.

Kur kemi parasysh se populli ynë shumë ka vuajtur nga vëllavrasja, gjakderdhja dhe urrejtja, unë sot, kam vendosur që të FALË plotësisht dhe tërësisht sulmuesit e mi dhe kështu në vend të hakmarrjes, të hap rrugë për vëllazërinë, paqen dhe respektin për njëri tjetrin madje edhe në situata të këtilla. Deklaratën time e jap me vetëdëshirë, i pakushtëzuar dhe i pandikuar nga askush dhe nga asgjë dhe lutem që e njëjta të kuptohet pa asnjë prapavijë.

Na pret shumë punë përpara prandaj rastet e këtilla s’duhet të na ndalin hovin.

Nga zemra uroj më të mirën për popullin tim dhe bijtë e tij.

Me respekt,

Valon Bela

LEXO: Valon Bela u plagos me dy plumba në Çair

LEXO: Spasovski: Kryetari i Çairit ka denoncuar kërcënimet e Belës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button