Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë gjatë një intervenimi

Polica e Kosovës ka njoftuar se një zyrtar policor ka vdekur pasi është sulmuar me armë zjarri nga një preson i dyshuar, transmeton REL.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se personi i dyshuar, në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një zyrtari policor, i cili pas plagëve të marra ka vdekur.

“Rreth orës 15:35 Policia ka pranuar një informatë për një grabitje në një filiale të NLB Bankës në Istog. Polica e Kosovës më të arritur në atë lokacion ka hasur në personin e dyshuar që ka qenë në posedim të armës së zjarrit. Personi i dyshuar në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar t’i përgjigjen me armë zjarri duke e lënë të plagosur personin e dyshuar. Gjatë intervenimit policor, si pasojë e shkëmbimit të këtyre armëve edhe një zyrtar policor ka pësuar plagë të rëndë dhe i cili nuk u ka mbijetuar plagëve”, ka thënë Kelani.

Ai ka bërë të ditur se ne vendin e ngjarjes Policia ka gjetur një granatë dore dhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur nga personi i dyshuar.

Pas vrasjes së policit në Istog ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, ai është shprehur i tronditur pas njoftimit për vrasjen e zyrtarit policor.

“I tronditur nga vrasja e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Istog dhe ish ushtar i luftës sonë çlirimtare, Izet Demaj. Për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të marrur peng, gjatë plaçkitjes së një banke sot, pa menduar për veten e tij, fatkeqësisht ka humbur jetën. Izeti është shembull se si mbrohet jeta e qytetarëve. Ngushëllimet e mia më të thella për familjen Demaj dhe Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

Policia e Kosovës ka thënë se është duke kryer hetime lidhur me këtë rast.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button