Ahmeti: Maqedonia ndodhet në minutat e fundit të një loje të madhe

 Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në fjalimin e tij të fundvitit para anëtarëve të partisë, duke iu referuar marrëveshjes me Greqinë, zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësim të vendit në NATO dhe çelje të negociatave me Bashkimin Evropian (BE), ka deklaruar se Maqedonia ndodhet në minutat e fundit të një loje të madhe, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i BDI-së, duke folur për zhvillimet e fundit në Maqedoni, falënderoi “miqtë ndërkombëtarë”, të cilët sipas tij, kanë qenë këtu në të mirë të Maqedonisë dhe ardhmërisë së saj.

“Projektet tona kanë qenë dhe mbeten projekte të rëndësishme. Sigurisht që pa ndihmën, angazhimin dhe lehtësimin e komunitetit ndërkombëtar nuk do t’ia kishim arritur ku jemi sot në këto ditë”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti po ashtu përshëndeti të arriturat e vendit në proceset integruese, veçanërisht ftesën për anëtarësim në NATO, ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili ende nuk zbatohet plotësisht për shkak të mohimit për ta dekretuar nga presidenti i vendit, si dhe marrëdhëniet pozitive me fqinjët.

Në lidhje me bojkotimin e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE të seancës për miratimin e marrëveshjes me Greqinë, Ahmeti i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në këtë vendim për “ardhmërinë e vendit”.

“Kemi energji e kapacitete të shumta që këtë proces të mos e lëmë as në mëshirë të fatit, por as edhe në mëshirë të ‘siherxhinjve’. Prandaj, i bëjmë thirrje opozitës në të dyja anët që të kyçen në lojën vendimtare për suksesin përfundimtar. Më 9 janar fillon seanca për ndërtimin e historisë më të re të këtij shteti, shtet i organizuar dhe i pranuar në të gjitha strukturat, NATO, Bashkimin Evropian, në miqësi dhe harmoni me të gjitha vendet e rajonit”, deklaroi Ahmeti.

Ndryshe, seanca për miratimi e kësaj marrëveshjeje që do të fillojë më 9 janar, kërkon edhe ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe pëlqimin e dy të tretave apo 80 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, që më pas t’i hap rrugë ratifikimit nga ligjvënësit e palës greke.

Më tej, kreu i BDI-së iu referua edhe mosmarrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se në zhvillim e sipër janë procese të rëndësishme që forcojnë dhe kontribuojnë në paqe dhe stabilitet rajonal. Sipas tij, problemi midis Kosovës dhe Serbisë “është një vrimë e zezë që ka mbetur pa u rregulluar”.

“Të gjithë e dimë që akoma ka mbetur një vrimë e zezë pa u rregulluar, problemi Kosovë-Serbi. Ne i inkurajojmë palët që të gjejnë energji dhe të arrin një zgjidhje të dobishme për palët”, tha Ahmeti.

Duke theksuar se me kujdes përcjell zhvillimet midis Kosovës dhe Serbisë, ai po ashtu tha se procesi për të arritur në zgjidhje nuk është i lehtë, por kjo mosmarrëveshje kërkon zgjidhje njëherë e përgjithmonë.

“Në këtë situatë Kosovës i duhet një dialog thelbësor dhe ne besojmë tek autoritetet e zgjedhura andej, si ato në pozitë ashtu edhe tek ata në opozitë. Por, një zgjidhje përfundimtare duhet arritur, sepse Kosova me pengesa që paraqiten në të gjitha institucionet ndërkombëtare për pranim, pengesë paraqet Serbia”, deklaroi Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button