Ndal dhe merri erë bukës

Bëjmë jetë ku ditët janë të ngjashme pothuajse. Nuk ka ndonjë ikje drastike të rutinës. Ndoshta na ndryshon menyja e darkës së vonë që qesim në tryezë, megjithatë, kujtoj që mamatë e sotme ndajnë brengat, dhimbjet dhe pasiguritë e njëjta.

Lodhemi shumë dhe kjo nuk do diskutim. Jo ngjashëm me burrat, dallojmë në atë që e kemi aftësinë, ndoshta dhe mallkimin të përqendrohemi në disa aktivitete në të njëjtën kohë, dhe to-do listat tona prioritizojnë edhe larjen e roletneve, në të njëjtën vijë me dorëzimin e raportit në punë. E pastaj, kjo na shkakton dhimbje të qafës dhe shpatullave dhe përnjëherë i marrim seriozisht reklamat e pajisjeve qesharake të Top-Shopit. Se për t’u vizituar te mjeku, nuk është gjithnjë zgjidhje e lehtë. Do shumë kohë dhe mund, dhe na duket sikur vizita te mjeku dhe rrjedhimisht diagnoza i jep emër dhimbjes dhe përnjëherë kjo shndërrohet në gjendje. E si mama, nuk kemi fort vakt për gjendje!

Mirëpo, përkundër përkushtimit të gjithanshëm, me gjasë harrojmë gjatë udhës se ku jemi nisur! A është përnjëmend roletna e bardhë bilur aq e rëndësishme? A janë thonjtë e prerë e të lëmuar të fëmijëve diçka që nuk mund të presë? Dhe, a duhet patjetër e tërë dita të përcjell një orar dhe dinamikë të caktuar, pa fleksibilitet fare?!

Një ditë të këndshme shtatori, pas një dite të gjatë në punë, kishim marrë ftesë për një festë shumë të lezetshme ditëlindjeje. Ishte ditëlindja e një vajze të veçantë e cila po niste klasën e parë sivjet. Bashkë me fëmijët, ishim krehur e pispillosur, edhe pse me qëllim të mos dukeshim se ishim përpjekur shumë, kinse ne jemi nga natyra të tillë, kishim arritur në festë. Fëmijët bënin ato që ata bëjnë më së miri – luanin e kërcenin dhe shpiknin botëra nga më të ndryshme nga dhomat e tyre të imagjinatës. Ata nuk donin t’ia dinin që të gjitha ato mama aty, mezi qëndronin në tavolinë dhe përpiqeshin të bënin muhabete të vogla midis vete. Jo rastësisht shumica pinin pije të kafeinizuara për të shtyrë festën deri në fund! Fëmijët vraponin, ndiqeshin, rrëzoheshin në tokë, dhe sërish ngriheshin për të shkundur pluhurin dhe për të luajtur fuqishëm.

Gjë që ne të rriturit nuk e bëjmë dot. Punojmë fuqishëm, grindemi fuqishëm , tej-detajojmë fuqishëm, por rrallë shumë rrallë luajmë, e aq më pak fuqishëm! Madje edhe me fëmijët e njëjta gjë. Gjithçka është e strukturuar, gjithçka ka kornizë dhe gjithçka duhet të ketë fillimin dhe përfundimin. Fëmijët duan lojën dhe mësimin përmes lojës. Nuk u duhen shtesa dhe ndihmesa. Për një argëtim të shkëlqyeshëm nuk u duhen lodra pa kufi, as qendra tregtare dhe as televizor. Natyra është një fushë loje e pazbuluar gjigande. Gjethet në tokë, shkopinjtë e tharë, balta e zbutur, të gjitha janë park zbavitës për fëmijë.  

Atë mbrëmje të ditëlindjes, ndoqa fëmijët e mi dhe jo anasjelltas. Pas përfundimit të festës, me Borën dhe Malin për dore, vendosëm të ecnim deri të gjenim një taksi për në shpi. Kjo në përpjekje për të vazhduar dhe për t’u infektuar edhe vetë pak me spontanitetin aq të lezetshëm të tyre. Si në lundrimet në det, baticat na favorizonin. Një puhizë e lehtë na freskonte dhe na bënte hapin më të lehtë. Kaluam në ecje mbi Kurriz, derisa u shpjegoja fëmijëve se në cilën lagje gjendeshim. Ata u fascinuan aq shumë sa më pas i tregonin Ardit për vizitën në Dardani, si të ishte ky një lokacion i pazbuluar turistik. U ndalëm pak edhe te statuja e Bill Klintonit. E që tani duhej t’u shpjegoja edhe se kush ishte dhe pse ishte aq i rëndësishëm për ne sa për të pasur një statujë personale në qytet. E derisa po u shpjegoja se në një kohë, në Kosovë bëhej luftë, dhe njerëz si ky i statujës na kishin ndihmuar për të sjell paqen sërish në vendin tonë, më bëhej qejfi pa masë për injorancën e tyre të tërësishme dhe për faktin që ata asnjëherë nuk e kishin njohur luftën! Bora si më e madhe ndërkaq e krahasoi Bill Klintonin me një nga personazhet e përrallës së fundit që kishte lexuar! E nejse… ecëm dhe një copë herë, dhe diku gjatë rrugës na ngacmoi një aromë e bukës së sapo pjekur. U ndalëm te bukëpjekësi për të blerë bukë të freskët dhe kroasane me çokollatë. Ani që kafshuam vetëm nga një herë ato, qëllimi ishte të përjetimi. Diku gjatë rrugës, Bora dhe Mali më njoftuan që donin të shkonin në shtëpi me autobus dhe jo me taksi. Kështu, meqë në stacionin e parë më të afërm nuk ndalej numri i duhur, vazhduam ecjen tonë deri te stacioni i radhës. Ashtu të tre, të qetë me pyetje të kohëpaskohshme dhe me shuplakat e tyre të shtrënguar në timen. Këtë shtrëngim duarsh nuk do ta kishim bërë në shtëpi.

Ecëm midis rrugicës së kafeneve të vogla te Santeja derisa po u tregoja sërish për një kohë tjetër kur si gjimnaziste iknim nga mësimi për të pirë kafe të gjata aty. Nejse… disa detaje si ikja nga orët, nuk i shpalosa. E më pas rrugicë pas rrugice, arritëm te stacioni i duhur dhe mbetëm aty plot 40 minuta se autobusi nuk erdhi dot. Po s’ka gjë, se nuk u mërzitëm. Flisnim për gjëra të kota, dhe thjesht e dëgjonim njëri tjetrin. Mali ndërkaq s’i hiqte sytë nga një ekran reklamash ku manekine të ndryshme reklamonin modelet e reja të bikineve e ai secilën donte ta bënte nuse. Kjo na bënte për të qeshur mua dhe Borën.

Dhe ashtu ngadalë, morëm taksinë për në shtëpi. Duke hyrë në taksi, i kërkova Malit t’i lëshonte rrugë motrës. Mali më pyeti: “Pse?” I thash së është vajzë dhe vajzave duhet gjithmonë t’u jepet përparësi. “S’po me pëlqen!” tha Mali po megjithatë i lëshoi rrugë motrës. Ndërkaq po mendoja se sa shumë do të duhej t’i mësoja gjatë jetës. Sa shumë gjëra kishim pa bërë akoma. Dhe se me çdo ditë që kalonte, kishim më pak kohë… gjithnjë e më pak kohë.

Po i vështroja me sytë e ngazëllyer tek gudulisnin njëri-tjetrin në lojë, dhe e dija që atë pamje do t’i kujtoja përjetë. E pastaj u mallëngjeva se ata do të rriteshin dhe më nuk do të mund t’i kapja thjeshtë për dore dhe t’i zvarritja kudo.
Ama, derisa u krihja flokët pas dushit, dhe shkarazi u nuhasja flokët e pastër, e dija që edhe ata do ta kujtonin gjatë ekskursionin e vogël bashkë.

Unë më shumë se ata. Kisha marrë një mësim të rëndësishëm në jetë. Se duhej ndalur kohë pas kohe për t’i marrë erë bukës; të mos shpejtosh hapin për të arritur domosdoshmërish te autobusi, se shpejt vjen tjetri. Derisa pret tjetrin, me gjasë do të takosh një mik të vjetër në rrugë, dhe do bësh dy tri llafe aty. Të vazhdosh të dëgjosh edhe një këngë në mp3 derisa të vije ashensori, të vazhdosh edhe 5 minuta shtrirë në krevat derisa kruan shpinat e dy vogëlushëve të tu, se puna pret- ajo nuk plaket dhe nuk rritet.

Sa herë planifikoj në fletoren time të kuqe, më shumë mentale se të përnjëmendtë, se sot do luaj me fëmijët, sot do të vizatojmë diellin në mur me Malin dhe do t’i mësoj Borës më në fund si lidhen tojat e këpucëve, rrallë shumë rrallë plani shkon deri në fund. Se më pak duhet bërë plan e më shumë duhet ndjekur fëmijët! Se jeta nuk shkruhet në fletore të kuqe.

Derisa përpiqemi t’i mësojmë fëmijët tmerrësisht shumë, të zbresim ndonjëherë nga kali e t’i dëgjojmë – pa merak, ata e dinë fare mirë se për ku janë nisur!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button