Ndihma e Shpejtë, ministri Filipçe paralajmëroi edukim dhe trajnim të mjekëve dhe motrave medicinale

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka paralajmërua edukim dhe trajnim shtesë të motrave medicinale dhe mjekëve të shërbimit të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë, njofton Portalb.mk.

“Fillimisht do të organizojmë trajnime dhe edukim të doktorëve dhe motrave medicinale të cilët punojnë në Ndihmën Mjekësore të Shpejtë, gjithandej shtetit tonë. Njëkohësisht do të zbatojmë edhe teknologji të re – telemedicinë e cila do të mundësojë komunikim të mjekëve dhe motrave infermiere të cilët ofrojnë ndihmë mjekësore të shpejtë në vendngjarje me qendrat referente, ose në shtëpitë e shëndetit, ose në qendrën më të afërt spitalore”, tha Filipçe.

Duke folur më tej, ministri ka njoftuar se mjekët e Ndihmës së Shpejtë do të kenë edhe syze gjatë intervenimit të tyre në terren.

“Do të mundësohet edhe syze për mjekët që janë në vendngjarje dhe që do të kryejnë intervenime”, tha Filipçe.

Sipas ministrit Filipçe, janë tre nivele në të cilat ka ngecje në shërbimin e Ndihmës Mjekësore të Shpejtë, të cilat vijnë si pasojë se kemi aparaturë të vjetërsuar, shpërngulje të kuadrit profesional – motrave medicinale dhe mosorganizim të shërbimit.

“Sistemi është komprometuar për shkak të tre faktorëve: aparaturës, kuadrit dhe organizimit. Kemi një numër të madh të mjekëve dhe motrave medicinale të cilët vitin e kaluar kanë lëshuar. Veturat janë furnizuar, janë duke u shpallur konkurse për pranim të kuadrit. Kemi promovuar punktet e Ndihmës së Shpejtë që qytetarët të mos shkojnë më larg kur do të kenë nevojë për ndihmë të shpejtë. Izraeli ka model të mirë të mënyrës së funksionimit të Ndihmës së Shpejtë, dhe besoj se ne kemi përvojë dhe mundësi që ta integrojmë të njëjtin në kuadër të sistemit shëndetësor në Maqedoni”, tha Filipçe.

Këto risi parashihen me memorandumin e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik dhe Ambasadës së Izraelit në Republikën e Maqedonisë.

Për të fuqizuar shërbimin e Ndihmës së Shpejtë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi furnizimin e 12 autoambulancave, ku 6 prej tyre janë shpërndarë në Shkup me kriter i cili nuk ekziston, dhe 6 të tjera në qytete tjera. Veturat ende nuk janë në përdorim, ndërkohë që në këtë shërbim u paralajmëruan 100 punësime gjatë vitit 2019.

Ndihma Mjekësore në Maqedoni funksionon me vetura të vjetra dhe të amortizuara, kurse numri i tyre nuk korrespondon me numrin e banorëve në qytetet e caktuara. Ka pasur raste që në to të kemi edhe humbje të jetëve të njerëzve. Për të shmangur këto situata, Ministria e Shëndetësisë premtoi ndërrim të autoambulancave në bazë të kilometrazhës, gjë me të cilën nuk pajtohen automekanikët, sepse ato kërkojnë ndërrim të veturave në bazë të kilometrazhës në qytetet jashtë Shkupit, e kurse në Shkup ajo të bëhet në bazë të përdorshmërisë.

LEXO më shumë për dosjen: Joefikasiteti i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button