Studim në Britani: Të bardhët paguhen më shumë nga grupet tjera etnike për punën e njëjtë

Punonjësit me ngjyrë dhe ata aziatikë po përballen më një “dënim në paga” që arrin deri në 3.2 miliardë sterlina çdo vit, dhe kjo vetëm nga shkaku i përkatësisë së tyre etnike, flasin të dhënat e një studimit të madh të zbatuar në Britani të Madhe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në analizën në fjalë thuhet se punonjësit me ngjyrë, indianë, pakistanezë dhe ata nga Bangladeshi fitojnë më pak se kolegët e tyre të bardhë për punën e njëjtën që bëjnë.

Të dhënat e publikuara së fundmi, kanë përgënjeshtruar argumentin se pakicat etnike paguhen më pak nga shkaku se bëjnë punë të pakualifikuar.

E përditshmja britanike “The Independent”, shkruan se organizata “Foundation Resolution” e cila qëndron prapa raportit të përpiluar, i ka bërë thirrje qeverisë të detyrojë kompanitë të publikojnë të dhëna për pagat për punonjësit bazuar në përkatësinë etnike, një kurs të cilin Theresa May më herët tha se do ta ndjekë.

Analiza e organizatës në fjalë ka bërë përllogaritjet në bazë të diferencave në nivelet e kualifikimit dhe llojet e punës të cilat i kryejnë grupet e ndryshme etnike, me ç‘rast te normat e pagave ka zbular një hendek prej 3.90 sterlina në orë.

Kathleen Henehan, nga fondacioni në fjalë tha se gjatë viteve të fundit punëtorët me ngjyrë, aziatikë dhe minoritarët kanë bërë avancime të rëndësishme në tregun e punës, janë pajisur me diploma dhe kanë gjetur vende pune.

“Megjithatë, përkundër përparimit të arritur, pjesa më e madhe e 1.6 milionë britanikëve me ngjyrë, aziatik dhe minoritetet tjera etnike përballen me disavantazhe të theksuara në vendin e tyre të punës, krahasuar me punonjësit e bardhë të cilët bëjnë punën e njëjtë, me çka humbin rreth 3.2 miliardë sterlina në vit”, tha ajo.

Posedimi i një diplome universitare nuk ka bërë që pakicat etnike të zgjidhin problemin.

Dallimi më i madh është tek të diplomuarit me ngjyrë, me një “ndëshkim” mesatar prej 3.90 sterlina në orë, ose 17 për qind më pak se kolegët e tyre të bardhë, ndërsa të diplomuarit meshkuj nga Pakistani dhe Bangladeshi, fitonin mesatarisht 2.67 sterlina në orë më pak nga kolegët e tyre të bardhë.

Tek punëtorët pa një diplomë universiteti, ata që pësojnë më shumë janë pakistanezët dhe punëtorët nga Bangladeshi të cilët paguhen për 1.91 sterlina në orë më pak nga të bardhët, ose 14 për qind më pak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button