fbpx

Reagime të shumta për “Know Macedonia”: Ministri Ademi dhe Faton Islami i hedhin poshtë dyshimet për gjuhë të urrejtjes

Projekti kulturor “Know Macedonia” (Njihe Maqedoninë) që është financuar nga Ministria e Kulturës në kuadër të projektit “Evropianët e rinj”, ka ngjallur reagime të shumta në publikun maqedonas se, i njëjti përdor gjuhë të urrejtjes dhe bën thirrje për dhunë, të cilat vlerësime i hodhën poshtë ministri i Kulturës, Asaf Ademi dhe realizuesi i aktivitetit, Faton Islami, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi

Ministri Ademi, pas konferencës ku u prezantua raporti vjetor për vitin 2018, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për aktivitetin në fjalë, bëri të ditur se projektin e ka parë vetë, dhe nuk ka evidentuar përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe thirrje për dhunë. Ai shtoi nëse mediat – gazetarët të cilët vlerësojnë se ka një gjë të tillë në video, atëherë të drejtohen te ai në mënyrë shtesë, me qëllim që i njëjti të ndërmarrë masa shtesë për inspektim të aktivitetit.

“Në dokumentin e aplikimit kur është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës, për projektin “Njihe Maqedoninë”, nga individi Faton Islami, është theksuar se do të realizohet në tre qytete të ndryshme. Në Tetovë, në Kratovë dhe në Kërçovë. Është thënë se nëpërmjet incizimeve me video, do të promovohen vlerat dhe veçantitë e jetës kulturore të atyre qyteteve. As në dokumentacionin e dorëzuar, dhe as në video nuk ka përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe as thirrje për dhunë. Unë e kam parë videon, nuk ka diçka të tillë”, tha Ademi.

Faton Islami

Në lidhje me reagimet është deklaruar edhe realizuesi i aktivitetit kulturor “Know Macedonia” (Njihe Maqedoninë), Faton Islami i cili ndër të tjerash ka dhënë edhe sqarimin për citimin e përdorur në mediat maqedonase.

“Për episodin e parë ku në mediat Maqedonase thuhet se është promovuar gjuha e urrejtjes dhe dhunës dua të cek se lajmet janë të nxjerra nga konteksti. Videoja figuron “onlajn” në faqen time zyrtare Phatooni dhe mund të shihet se në asnjë moment nuk përmban gjuhë të urrejtjes dhe dhunës. Në minutën 1:20 shfaqet pamja me përmbajtjen që shkruan “They are cancer of Europe – Uefa do you need more?!”, së pari, me këtë dua të them se pamja është përdorur si peizazh i një stadiumi i mbushur me tifozë dhe nuk ka në plan të parë mbishkrimin. Së dyti, ai mbishkrim nuk ka të bëjë aspak me palën Maqedonase por është nga incidenti i vitit 2014 që ndodhi në lojën Serbi – Shqipëri”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Islamit.

Tituj të mediave

Më poshtë ua sjellim edhe deklaratën e plotë të Faton Islamit:

“Kjo është deklarata ime zyrtare për sa i përket pluhurit që është ngritur nga mediat Maqedonase për projektin “Know Macedonia” dhe specifikisht për videon “Ballistët më shumë se një tifogrup”.

Nga mediat Maqedonase thuhet se Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet për një projekt që është Anti-Maqedonas dhe përmban promovim të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës.

Dua të deklaroj se në aplikimin që kemi bërë deri te Ministria e Kulturës kemi cekur se projekti përmban video promovuese për tre qytete: Tetovë, Kratovë dhe Kërçovë. Gjatë përzgjedhjes së qyteteve ne kemi pasur parasysh që çdo rajon të ketë një video promovuese ku të shfaqen vlerat dhe karakteristikat (përafërsisht dhjetë rajone) mirëpo, për shkak të shkurtimit të buxhetit nga Ministria e Kulturës pësoi shkurtim edhe projekti. Andaj ne kemi zgjedhur tre ngjarjet më interesante të vendit siç është: Ballistët-më shumë se një tifo grup; Kuklica – Fshati prej Guri; Treni i përgjakur – Kërçovë.

Për episodin e parë ku në mediat Maqedonase thuhet se është promovuar gjuha e urrejtjes dhe dhunës dua të cek se lajmet janë të nxjerra nga konteksti. Videoja figuron online në faqen time zyrtare Phatooni dhe mund të shihet se në asnjë moment nuk përmban gjuhë të urrejtjes dhe dhunës. Në minutën 1:20 shfaqet pamja me përmbajtjen që shkruan “They are cancer of Europe – Uefa do you need more?!”, së pari, me këtë dua të them se pamja është përdorur si peizazh i një stadiumi i mbushur me tifozë dhe nuk ka në plan të parë mbishkrimin. Së dyti, ai mbishkrim nuk ka të bëjë aspak me palën Maqedonase por është nga incidenti i vitit 2014 që ndodhi në lojën Serbi – Shqipëri.

Gjithsesi, konkursi “Evropianët e rinj” mbështetur nga Ministria e Kulturës ka për qëllim promovimin e fenomeneve pozitive dhe karakteristike të vendit andaj se çfarë janë Ballistët për Tetovarët, ndikimi i tyre tek qytetarët Tetovarë është absolutisht “Krenari” dhe “Identitet” dhe kjo nuk mund të mohohet. Andaj, si fenomen pozitiv i Tetovarëve e kemi parë të arsyeshme të bëhet promovimi i të njëjtëve.
Tifozëria i përket fushës së sportit që indirekt apo direkt ndikon në Kulturë.

Videot e radhës do të postohen me (Fshati prej guri – Kuklicë ) 26.12.2018 në ora 19:00; (Treni i përgjakur – Kërçovë ) 28.12.2018 në ora 19:00. Ju ftoj ti ndiqni dhe të kuptoni se lajmet që janë shkruar për këtë projekt janë të nxjerra nga konteksti dhe përmbajnë dezinformatë”, deklarohet Faton Islami.

LEXO: Phatooni e realizoi projektin “KNOW MACEDONIA” (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button