Nuk ka kartela “Skopska”, NTP-ja nuk jep informacion ku mund të blihen ato

Nëse e keni humbur dhe keni nevojë të blini kartelë të autobusit “Skopska”, këtë së paku nuk mund ta bëni deri më 10 janar në pikat shitëse në “Bit Pazar”, në Qendër dhe në Stacionin e Autobusëve në Shkup, sepse të njëjtët nuk disponojnë me të tilla. Nga Ndërmarrja e Transportit Publik (NTP) mohuan se ka mungesë të kartelave, por se nuk dhanë informacion se në cilat pika shitëse mund t’i sigurojnë të njëjtat qytetarët, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët kanë reaguar sa i takon mungesës së kartelave “Skopska” në Bit Pazar, dhe thonë se kjo do t’ju kushtojë dyfish atyre.

“Nuk ka kartela. Ja unë sot erdha, më thanë që s’do të ketë deri më 10 janar”, tha qytetarja M.A.

Nga NTP-ja mohuan se nuk do të ketë kartela deri më 10 janar, por edhe pse u kërkuan lokacionet e pikave shitëse se ku mund të blihen kartelat, nga atje u dha përgjigja: “Personi që është përgjegjës për këtë sektor, është në pushim, dhe deri në ditët e para të muajit janar nuk do të jetë në punë”, duke shtuar se informatën nuk mund të na e sigurojë person tjetër.

Meqë nuk i treguan lokacionet se ku mund të blihen të njëjtat, disa prej tyre i kontrolloi vetë Portalb-i. Kartela nuk ka as në pikën shitëse në Qendër të Shkupit dhe as në atë afër Stacionit të Autobusëve.

Nga NTP-ja duke mohuar se ka mungesë të kartelave “Skopska”, njoftuan se për të rejat është bërë porosia, por se ajo pritet të realizohet në ditët e para të vitit 2019.

“Nuk është e vërtetë që deri më 10 janar nuk do të ketë kartela elektronike të reja “Skopska” në shitje. Sipas kushteve të parapara në marrëveshjen e arrirë me “Makedonski Telekom”, pritet që porosia të kryhet ditët e para të vitit 2019. NTP me kohë ka kryer porosinë te “Makedonski Telekom”, me të cilin ka arritur marrëveshje që do të vlejë një vit për porosi të 250 mijë kartelave elektronike për sistem të pagesë elektronike të kartelave. Meqë me marrëveshjen e nënshkruar janë paraparë afate, porosia nuk mund të bëhet sot për nesër”, thanë nga NTP-ja.

Nga NTP-ja paraprakisht kanë njoftuar se parashihet që të hynë në përdorim lloje të reja të kartelave, ndër të cilat edhe kartela për një vozitje, si dhe vendosje të teknologjive të reja IT, të cilat do të mundësojnë furnizim të shërbimeve të reja dhe mbushje e kartelave nga llogaria, nëpërmjet shitoreve ‘onlajn’ dhe me përdorim të aplikacioneve të dedikuara për mjete “smart” – celularë, tabletë dhe të ngjashme.

Siç premtojnë nga NTP-ja, për këto risi janë duke u realizuar aktivitete.

“Për risitë në sistem është duke u punuar, dhe të njëjtat presim që të funksionalizohen në tremujorin e parë të vitit 2019”, thanë nga NTP-ja.

Nga atje rekomandojnë, se nëse qytetarët nuk mund të sigurojnë kartelë “Skopska”, atëherë pagesat të bëhen me celularë, e cila për një vozitje arrin vlerën 40 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button