Deponitë me lindan nuk kanë fund: Në oborrin e OHIS-it gjendet edhe e treta?

Në territorin e fabrikës OHIS ekziston edhe deponi e tretë, krahas asaj të voglës edhe të madhes, në të cilën ka mundësi të jetë grumbulluar lindan, thotë për “Meta” Ministri pa resor për investime të huaja Adnan Qahil i cili është pjesë e grupit të punës ë e formoi Qeveria për të zgjidhur problemin me lindan dhe njëkohësisht ish punonjës më fabrikën OHIS prej vitit 1984 deri në vitin 1987 si inxhinier kryesor, transmeton Portalb.mk.

Nëse vërtetohet se edhe në atë deponi ka lindan, bashkë me dy deponitë tash më të konfirmuara. në OHIS dhe deponia e  mundshme në vendin për piknik Pelenicë në Draçevë përbëjnë gjithsej katër deponi me substancë toksike kancerogjene lindan në territorin e Shkupit.

Qahil nuk e përjashton mundësinë se lindan mund të jetë groposur edhe në ndonjë lokacion tjetër, por thotë se për këtë ka pak gjasa.

“Ne kemi informata se ekziston deponi në fund të OHIS-it dhe se në atë gjoja ka lindan, por derisa nuk bëjmë testime ekzakte të dheut, ujërave nëntokësore, mjedisit jetësor që të shohim se çka ka në atë deponi, nuk mund të themi saktë. Për këto dy deponi, të madhen dhe të voglën, dimë pothuaj çdo gjë. Për të tretën, në rrethinën e OHIS-it, që është e rrethuar, nuk dimë, ekzistojnë supozime por me supozime nuk kryhen punët”,  thotë Qahil për “Meta”.

Ai shton se me një pjesë të mjeteve që do të grumbullohen nëpërmjet Memorandumit të cilin e ka nënshkruar Qeveria me Ministrinë për punë të jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, do të bëhen analiza dhe testime për deponinë e tretë në territorin e OHIS-it.

“Nuk dihet cila sasi është hedhur atje, për shkak se edhe ajo është e përzier me tokën. Në gropë mund të ketë 5 tonelata, kurse mund të ketë edhe 50, për shkak se nuk e dimë sa është e thellë. Qëllimi jonë është të bëjmë testime e pastaj publiku do të informohet për përbërjen e asaj deponie. Në Draçevë, në Pelenicë gjendet deponia e katërt e mundshme për të cilën ekzistojnë informata vetëm në bazë të bisedave, informata të treguara prej njerëzve, por nuk e kemi testuar zonën. Tani ka dy deponi të cilat fillimisht duhet të testohen, ajo në fund të OHIS-it dhe ajo jashtë OHIS-it. Për jashtë OHIS-it kemi informatë se ekziston vend i tillë, thonë se është hedhur lindan, por që ne duhet ta testojmë. Për atë na nevojiten mjete dhe kapacitete njerëzore. Nuk përjashtohet mundësia të shfaqet edhe ndonjë tjetër deponi, megjithëse ka pak mundësi. Po punojmë sipas informatave të cilat i kemi pranuar, nuk do të ikim nga përgjegjësia”,  thekson ai.

Grupi punues për zgjidhje të problemit me lindanin kancerogjen ka përgatitur raport për realizim të punimeve dhe aktiviteteve të planifikuara për rikuperim të deponive të kontaminuara me izomeret e lindanit. Raporti këto ditë do të jetë pikë në rendin e ditës së Qeverisë me konkluzione dhe nëse ato miratohen nga Qeveria, në periudhën e ardhshme do të punohet sipas tyre.

LINDANI

SUBSTANCË ME TOKSICITET TË LARTË

SHKAKTON:

  • Sëmundje të mëlçisë dhe gjakut
  • Dëmtime të sistemit nervor, kardiovaskular, imunitar dhe reproduktiv
  • Më tepër lloje të kancerëve (duke përfshire limfomën ne-Hoxhing)
  • Është rezistent ndaj shpërbërjes
  • Akumulohet në organizma të gjallë
  • Përçohet përmes ujit, ajrit (grimca PM), tokës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button