Ministri Ademi për raportin vjetor: Rritje e aktiviteteve kulturore dhe themelim i dy institucioneve nacionale

Ministri i Kulturës, Asaf Ademi ka prezantuar sot raportin vjetor për vitin 2018, ku vlerësoi se numri i aktiviteteve kulturore, krahasuar me vitin 2017, është rritur për 380, ndërkohë që në Ministri janë përpiluar 6 ligje, katër akte nënligjore dhe janë themeluar dy institucione nacionale. Shifrat e projekteve të përkrahura arrin numrin rreth 3 mijë, transmeton Portalb.mk.

“Rritja e numrit të projekteve kulturore është bërë edhe në kuadër të Valës Kulturore të fundit dhe të konkursit “Evropianët e rinj”, ku kulturën e kanë begatuar edhe me 380 aktivitete”, tha Ademi.

Ekspozita “Shpirtrat e Afrikës” u vlerësua si aktiviteti kulturor me më së shumti vizitorë.

“Dua të theksoj, se ekspozita “Shpirtrat e Afrikës” e cila ka pasur për qëllim të prezantojë kulturën afrikane, që u hap në muajin tetor në Muzeun e Maqedonisë, që erdhi si rezultat i bashkëpunimit me Muzeun Afrikan, ishte njëra nga më të vizituarat në tërë vitin”, tha Ademi.

“Këtë vit kemi përpiluar 6 ligje, katër akte nënligjore për përdorim të gjuhës maqedonase, dhe dy vendime për themelimin e dy institucioneve nacionale: Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare i Maqedonisë dhe Teatri i Gostivarit”, tha Ademi.

Ai ka theksuar se ka realizuar edhe analizë për procesin e decentralizimit të institucioneve nacionale me njësinë e vetëqeverisjes lokale.

“Pas realizimit të anketës me njësinë e vetëqeverisjes lokale, është përpiluar analizë për procesin e deritashëm të decentralizimit, dhe për interesin e komunave në pjesën e institucioneve nacionale kulturore”, tha Ademi, me çka më pas shtoi se nga Ministria janë realizuar edhe 171 mbikëqyrje inspektuese.

“Do të vazhdojmë t’i përkrahim artistët e rinj, grupet joformale”, premtoi Ademi.

Sipas asaj që paralajmëroi ministri, gjatë vitit 2019 Maqedonia do të jetë nikoqire e dy konferencave të mëdha: “Konferenca për dialog ndërfetar dhe ndërcivilizues, që do të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2019, dhe forumi për bashkëpunim kulturor të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe të Republikës Popullore të Kinës në nivel ministror, që do të zhvillohet në nëntor të viti 2019”, tha Ademi.

Në vijim numri i aktiviteteve të përkrahura nga Ministria e Kulturës në bazë të veprimtarive:

– Në veprimtarinë dramatike janë 120 projekte;
– Në sferën e arkitekturës dhe dizajnit janë financuar 377 projekte;
– Në sferën e kulturës interdisiplinare janë përkrahur 71 projekte;
– Në sferën e veprimtarisë kulturore janë përkrahur 270 aktivitete kulturore;
– Në sferën e veprimtarisë skenike janë përkrahur 237 projekte;
– Në sferën e veprimtarisë botuese janë përkrahur 542 projekte;
– Në sferën e veprimtarisë së mbrojtjes së trashëgimisë kulturore janë përkrahur 537 projekte;
– Në sferën e veprimtarisë audio dhe audiovizuele janë përkrahur 10 projekte të institucioneve nacionale dhe Kinotekës së Maqedonisë dhe
– Në pjesën e promovimit ndërkombëtar të Maqedonisë janë përkrahur 298 projekte.

Ministri Ademi ka theksuar se gjatë vitit 2018 janë vazhduar projektet për rikonstruim të institucioneve kulturore, dhe ka nisur ndërtimi i disa të tjerave. Është potencuar gjithashtu se Ministria do të vazhdojë t’i financojë manifestimet tradicionale si “Vera e Ohrit” dhe “Operat e Majit”.

Edhe njëherë njoftoi se deri në mars do të zhvillohet nivelizimi i pagave të punonjësve kulturor, dhe tregoi planet për vitin 2019 me të cilin janë paraparë mjete me buxhetin vjetor 2019.

“Dëmshpërblim nuk mendohet, nuk diskutohet aspak, por dëshirojmë që të kemi një kompensim material nga muaji mars dhe tutje, që është njëra nga kërkesat kryesore edhe e sindikatës”, tha Ademi.

U njoftua edhe nisja e përgatitjeve për ndryshim të ligjit për çmimet shtetërore dhe avancimin të 22 punonjësve në Ministrinë e Kulturës.

LEXO: Qeveria e Maqedonisë verifikoi hapat për nivelizim të pagave në kulturë
LEXO: Viti 2019, për kulturë janë ndarë 3,1 miliardë denarë: Qasje në kulturë për të gjithë qytetarët
LEXO: Ministri i Kulturës, Asaf Ademi i pranoi kërkesat e Sindikatës për nivelizimin e pagave

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button