fbpx

Një këngë kërshëndellash e vitit 1794

Albanologu kroat, Henrik Bariqi (1888 —1957), e botoi në vitin 1941 studimin “Lashtësia e shkrimit shqip: me rastin e një kënge të panjohur kërshëndellash në arbënisht” (Origjinal: Henrik Bariq, “Старина арбанске писмености: Поводом једне непознате арбанске божићне песме”, “Vreme”, 1 janar 1941, f. 5).

Në këtë studim ai e publikoi edhe një kënge të panjohur në gjuhën shqipe, me titullin “Epirotice”, të botuar në vitin 1794.

Kënga e paregjistruar deri atëherë në ndonjë bibliografi, ka dy katrena dhe flet për Tre të Urtët e Lindjes. Ajo është e përkthyer nga latinishtja në gjuhën “epirote” (shqipe) dhe në 36 gjuhë të tjera, të gjalla e të vdekura. Kënga ishte përfshirë në librin luksoz “Magi puero munero” dhe ishte botuar për nder të princeshave burbonase Maria Adelaida dhe Viktoria Maria.

Kënga është si më poshtë:

γlli i ri me drit tς ree

Tech del Dieλi ù dítúe

Chifse se  leu Kriscti ndςr nee

Me prú diesit me afrue

Trj far funęti

Kiem aar, e mehlèm

I prún, si ξot me rhegni

ε me dek per hesécm.

Bariqi, në këtë studim, e veçoi edhe dorëshkrimin “Perikopeja e ungjillit të pashkës”, sepse mendonte që “nuk i është kushtuar vëmendja e duhur”. Dorëshkrimi, sipas tij, ishte botuar nga Lambrosi më 1906, në revistën e tij, në kohën kur u botua katalogu i dorëshkrimeve greke të shekujve XV dhe XVI. Ai thotë se bibliotekisti i Bibliotekës Ambroziane, papa Pio XI, kishte vërejtur që në vitin 1912 se fleta në gjuhën shqipe nuk kishte asnjë lidhje me katalogun.

“Kjo fletë, tepër e vlefshme, e përshkruan varrosjen e Krishtit sipas Ungjillit të Mateut, kreu XXVII, 62 – 66, që sipas ritualeve greke lexohet në mbrëmjen e së Shtunës së Madhe dhe është në shqip e greqisht. Teksti është një himn i vogël, që flet për ringjalljen e Krishtit (Krishti i ringjall etj.) dhe nuk është pjesë e ndonjë teksti në gjuhën shqipe i shkëputur prej ndonjë përkthimi të Ungjillit, por një tekst që lexohej, me raste, nga populli, i cili nuk e dinte gjuhën greke. Përkundër mangësive përkthimore të tekstit, ku ka edhe fjalë greke, ai mbetet i veçantë për lashtësinë e gjuhës dhe për anën paleografike”, shkruan Bariqi.

Studiuesi kroat ishte i mendimit se fillet e letërsisë shqipe “nuk duhej që të kërkoheshin dhe as nuk mund të gjendeshin para shekullit XIX”. Letërsia shqipe, sipas tij, fillonte me poemën “Milosao, i biri i sundimtarit të Shkodrës”, i shkruar nga “figura mjaft simpatike”, Jeronim de Rada, “një arbëresh nga Kalabria, vepra e të cilit lavdërohet nga Lamartini (i cili e kishte lexuar përkthimin në gjuhën italiane) dhe nga i yni Nikola Tomazeu”.

Vepra “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, sipas tij, “ngjan, deri diku, me “Osianin” e Makfersonit, që bazohet në baladat gale”.

Gjithçka tjetër që ishte shkruar para kësaj kohe, qoftë në vargje ose në prozë, sipas Bariqit, kishte vetëm vlera historike e gjuhësore. E tillë për të ishte vepra e fundshekullit XIV e arbëreshit Lukë Matrënga, i cili “e përktheu në gjuhën amtare Katihizisin e krishterë të jezuitëve spanjoll Ledesme“. Matrënga i takonte lozhës së lavdishme, që në shekujt XIII dhe XIV zotëronte zonat ndërmjet Shkumbinit dhe Devollit.

Bariqi shkruan se edhe “Meshari” i Buzukut ishte krijuar duke u bazuar te një “Trebnik” nga Bosnja dhe kishte vlera gjuhësore. Për këtë studiues të tilla ishin edhe veprat e krijuara në shekullit XVII.

“Propaganda e Romës i shtypte këto vepra për priftërinjtë dhe pastorët e saj katolikë në Shqipërinë Veriore, sikurse fjalorin latinisht – epirotisht të Frang Bardhit, biografit të Skënderbeut (1635), “doktrinën” e Belarminovit nga Pjetër Budi prej Kruje (1664) dhe “Cuneus prophetarum”-in e arqipeshkvit të vrarë të Shkodrës dhe të Shkupit, Pjetër Bogdanit nga Dukagjini, i cili njëzet e një vjet i kaloi në Shkodër dhe me shumë dashuri e mësoi gjuhën e popullit”.

Kështu ndodhi, sipas tij, edhe në shekullin XVIII me “Gjellën e Shën Mërisë së Virgjër” (1762) nga Variboba, “stili dhe fjalori i të cilit, megjithatë, përmban shumë elemente të italishtes sa nuk mund të shërbejë si përmendore gjuhësore”.

Për Bariqin nuk mund të konsiderohej vepër letrare as vepra e Budit “përkundër 2884 vargjeve të parafrazës budiane Dies irae, as poema e tij, as 460 katrenat, ku dëshiron të përshkruajë aksidentin dhe mëkatin e parë, deri te shpëtimi nëpërmjet vuajtjes, vdekjes, kryqëzimit dhe ringjalljes së Krishtit, edhe pse historianët vendor të letërsisë shqipe e vënë në të njëjtën linjë me Miltonin dhe veprën e tij Parajsa e humbur”.

Për Bariqin gjithçka që ishte botuar në këtë periudhë, çdo shënim, sado i vogël, ishte i rëndësishëm vetëm nga aspekti filologjik, kulturor e historik, por jo edhe letrar. E tillë për të ishte “Kënga e përshpirtshme” e Lekë Matrëngës, “ku për herë të parë shfaqet forma e strofës, e cila, nëpërmjet qarqeve kishtare të italianëve të arsimuar, mësohej edhe në vendbanimet e arbëreshëve të Italisë, në mbarë popullin, pra pikërisht nëpërmjet këngëve të këtilla hyjnore”.

Si adhurues i shkrimeve të lashta, Bariqi e botoi edhe “Epirotica“-n, në prag të kërshëndellave. “Epirotica” do të thotë gjuha epirote, pra gjuha shqipe. Ne e pamë të udhës që ta sjellim këtë këngë pikërisht në prag të festave të fundvitit.

Bariqi, gjithashtu, në këtë studim, mendon se në historinë e shkrimit shqip kishte shumë gjëra me interes edhe për kulturën sllave, veçanërisht hipoteza se shqiptarët mund të kishin shkruar edhe me alfabet cirilik. Ai e quan “hipotezë të vdekur e të vjetruar” se burimi i shkrimit glagolik gjendej tek i ashtuquajturi “shkrimi elbasanas”, siç kishte pretenduar Leopold Gajtler, një sllavist nga Zagrebi, por nuk e shmang hipotezën se shqiptarët në shekullin XVI, e mbase më herët, mund ta kishin përdorur alfabetin cirilik në shkrimet e tyre. Në epokën që i kishte paraprirë botimit të “Mesharit” të Gjon Buzukut, të vitit 1555, “një tekst për të cilin i pari që shkroi ishte vendësi ynë monsinjor Don Gjovani Batista Nikoloviç Kasasi (Gjon Nikollë Kazazi – shënimi ynë)”, ka indicie për “hipotezën tonë cirilike”, sepse në disa shkrime, të kësaj periudhe, kishte edhe shkronja cirilike.

Shqiptarët, nën ndikimin e kishës katolike, përdornin shkrimin latin, por “në Shkodër që në shekullin XV kishte zyrë sllave në administratën venedikase (më 1416 përmendet në kadastrat e Shkodrës një Marco, scrivan schiavonesco), ku përdorej shkrimi cirilik edhe kur shkruhej në gjuhën e popullit”.

Bariqi e mbështet këtë tezë sepse, sipas tij, shkronja cirilike gjejmë te “Meshari” i Buzukut, kurse disa shkronja ishin përdorur në tekstet e Budit, Bardhit, Bogdanit dhe te një seri edicionesh të Propagandës së Romës.

Në vijë të hipotezës se shqiptarët, në këtë periudhë, e njihnin shkrimin cirilik, madje e konsideronin si shkrim të tyre nacional, sipas mendimit tim, dëshmon edhe fakti se Bogdani në parathënien e veprës së tij Cuneus Prophetarum ankohet që në Padovë, ku më 1685 e shtypte veprën e tij, se nuk kishte shkronja shqipe dhe thotë se, duke mos pasur zgjidhje tjetër, i duhej të shërbehej edhe me disa shkronja greke”.

Bariqi i referohet edhe Dositej Obradoviçit, që e kishte mësuar gjuhën shqipe gjatë qëndrimit në Shqipëri. Obradoviqi thotë se “populli shqiptar, sikurse ai vlleh, i shkruante librat me shkronja sllave”. Madje flet për tentime të vetë shqiptarëve që shqipja të shkruhej me alfabet cirilik.

Sipas një shkrimi të vogël nga Lamia, të vitit 1861, i cili nuk më ka rënë në sy dhe të cilin e vërteton albanologu i njohur Gustav Majeri, njëfarë Naum Vithkuqi (Bitkuçi – siç shënohet), dëshironte që ta krijonte një alfabet shqiptar duke u bazuar në shkrimin sllav. Njoftimet, përkundër kërkimeve të mia, nuk gjenden askund”, shkruan ai.

Henrik Bariqi, i cili në këtë studim merret edhe çështje të tjera të kulturës shqiptare, kishte studiuar në Grac e në Vjenë për gjuhësi të përgjithshme dhe gramatikë krahasimtare, kurse kishte doktoruar për tragjikun italian V. Alfieri. Nga 1914 deri 1918 punoi si përkthyes i ushtrisë austriake, kurse më 1920 u pranua si pedagog në Universitetin e Beogradit. Më 1945 u përjashtua nga Universiteti i Beogradit pas një procesi gjyqësor të “gjykatës së nderit”. Pas largimit nga Beogradi u vendos në Zagreb, kurse nga viti 1954 punoi si profesor në Fakultetin Filozofik të Sarajevës dhe si drejtor i Institutit të Ballkanologjisë.

Bariqi është autor i disa librave dhe botues i revistës “Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju (1923–1928)”. Si studiues i gjuhës së ilirëve dhe trakëve, mendonte se shqipja ishte më e afërt me trakishten dhe armenishten se sa me ilirishten, që është hedhur poshtë nga shumë albanologë të njohur, përfshirë edhe Eqrem Çabejin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button