Protestat në Francë, kryeministri kërkoi rend publik

Në vazhdën e protestave të “Jelekëve të verdhë” në Francë, kryeministri i vendit Edouard Philippe ka deklaruar se qeveria e tij është e vendosur për të ruajtur rendin publik, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë vizitës së tij që ua bëri katër oficerëve policorë të sulmuar nga protestuesit të shtunën në Paris, Philippe bëri thirrje për përfundimin e dhunës në demonstratat e “Jelekëve të verdhë”.

Philippe tha se ai dallon protestuesit midis atyre që përdorin dhunë dhe atyre që kanë kërkesa paqësore në demonstrata. Ai po ashtu theksoi se sa më gjatë që vazhdojnë protestat, aq më shumë do të radikalizohen.

Të shtunën, gjatë demonstratave në Champs-Elysees, protestuesit sulmuan katër policë duke hedhur gurë ndaj tyre.

– Protestat e “Jelekëve të verdhë”

Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 38.600 persona morën pjesë në protestat kombëtare të së shtunës, me të paktën 2.000 protestues në kryeqytetin Paris, ndërsa rreth 66.000 persona demonstruan një javë më parë.

Protestat e “Jelekëve të verdhë”, të cilat filluan si një reagim ndaj rritjes së taksave të karburantit dhe u zhvilluan në një kryengritje kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, vazhdojnë pavarësisht thirrjes së qeverisë për ta ndalur atë.

Që prej 17 nëntorit, mijëra protestues të veshur me xhaketa të verdha të ndritshme, të quajtur “Jelekët e verdhë”, tubohen në qytetet kryesore franceze, duke përfshirë kryeqytetin Paris, për të protestuar ndaj rritjes së diskutueshme të taksave të karburantit dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike.

Të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën, më shumë se 4.500 janë arrestuar dhe mbi një mijë të tjerë janë plagosur në protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button