Raporti vjetor i ITKSHKSH-së, Asani: Instituti ka realizuar dhe madje tejkaluar programin e paraparë

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup u bë promovimi vjetor i dhjetëra aktiviteteve, botimeve, konferencave, paneleve shkencore, ekspozitave, vizitave studimore e vendosjeve të bashkëpunimit me institucione të tjera.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se në këtë vit përvjetorësh të rëndësishëm, që nisi me Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Instituti ka realizuar dhe madje tejkaluar programin e paraparë të punës, duke u bërë një institucion i respektueshëm shkencor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Asani falënderoi të gjithë partnerët dhe bashkëpunëtorët që ndikuan në arritjen e këtyre sukseseve të lakmueshme të Institutit, në veçanti Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për qasjen serioze ndaj këtij institucioni të lartë shkencor në vend.

Ndërsa, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, tha se duke e parë seriozitetin e punës së këtij Instituti shkencor, ministria që ai e udhëheq, gjatë vitit 2018 e ka shtuar ndjeshëm shumën e përkrahjes financiare si dhe numrin e punëtorëve shkencorë, për të realizuar Instituti programin e vetë ambicioz. “Gjatë vitit që po lëmë pas, filluam edhe angazhimin tonë konkret për zgjidhjen e problemit të kamotshëm të këtij Instituti që e ka me pronësinë e objektit. Procesi është duke ecur mjaft mirë, dhe presim që shumë shpejt të zgjidhet edhe kjo çështje, me çka ky Institut do të ketë tapinë e vetë që e meriton, për të realizuar pa pengesa gjithë programin e paraparë të punës hulumtuese-shkencore”, tha ministri Ademi.

Këtë ngjarje e nderoi edhe shkrimtari dhe akademiku Luan Starova, si promotor i aktiviteteve të Institutit, veçanërisht të pjesës së veprimtarisë botuese. Ai tha se me punën e vetë me shumë elan, Instituti ka arritur që të bëhet një referencë e pakapërcyeshme edhe për institutet albanologjike të Prishtinës e Tiranës. Starova në veçanti theksoi rëndësinë e projekteve dhe botimeve që kanë të bëjnë me tolerancën ndërfetare në Maqedoni.

Prezantimin e raportit vjetor të punës e bëri sekretari shkencor Zekirija Ibrahimi, duke theksuar se 2018-ta ka qenë viti më pjellor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Ai numëroi dhjetëra projektet e realizuara dhe mbi 20 botimet shkencore. “Edhe vetëm si numër ato janë shumë për t’u lexuar, ndërsa mund të merret me mend se sa mund e djersë është derdhur që të gjitha këto vepra të shkruhen, të përgatiten dhe të botohen. Ne jemi të bindur se në Maqedoni nuk gjen një institucion tjetër shkencor a arsimor shqiptar që me kaq devocion e përkushtim e përmbush detyrimin e tij. Madje, edhe nëse nuk do të bëhej asgjë tjetër në Institut, ndonëse ne radhitëm dhjetëra aktivitete, ndoshta do të mjaftonin edhe vetëm këto vepra të botuara që ne të dëshmojmë se ky vit nuk ka shkuar dëm për ne”, theksoi Ibrahimi.

Marrë në përgjithësi, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve gati 100% ka përmbushur detyrimin e planifikuar me programin vjetor për viti 2018, ndërsa edhe për vitin në vijim ka përgatitur një plan-program mjaft të ngjeshur të punës me konferenca, botime, promovime, ekspozita, etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button