Qeveria e Maqedonisë po i hap të dhënat, u promovua portali www.Data.gov.mk

Qeveria e Maqedonisë, me përkrahje të Ambasadës së Britanisë së Madhe sot zyrtarisht e lëshoi në përdorim portalin e ri “www.Data.gov.mk“. Në të, të gjithë qytetarët kanë mundësi të shohin, të zbresin dhe të analizojnë të dhënat e institucioneve që deri më tani kanë qenë të mbyllura për publikun. Në të mund ti gjeni shpenzimet e institucioneve dhe të dhëna tjera. Gjatë promovimit të portalit u prezantuan të dhënat për llojin e ilaçeve që janë në Maqedoni, njofton Portalb.mk.

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski tha se me këtë portal krijohet një ekosistem dinamik i të dhënave të hapura në të cilin të dhënat prodhohen, hapen, pasurohen dhe sërish përdoren nga sektorë të ndryshme: publike, private, akademike dhe qytetare.

“Kjo do të shpjerë në përmirësimin e dhënies së shërbimeve dhe në efikasitetin e sektorit publik si dhe i jep përkrahje luftës kundër korrupsionit dhe kontribut në krijimin e klimës inovative me mundësitë të reja ekonomike për sektorin e biznesit” tha mes tjerash Mançevski.

Nga promovimi i portalit "Data.gov.mk"
Nga promovimi i portalit “Data.gov.mk”

Sipas ministrit për Transparencë, Robert Popovski portali do t’i nxitë institucionet shtetërore që ta rritin cilësinë e shërbimeve të tyre.

“Duhet të nxitet publikimi i informacionet, me qëllim që të rritet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve, të përmirësohet cilësia e shërbimeve, dhe në të njëjtën kohë të përkrahen risitë”, tha Popovski.

Nga sektori civil potencuan faktin se e rëndësishme për qytetarët por edhe për gazetarët, është që ky portal të përmbajë të dhëna të sektorit të vetëqeverisjes lokale – komunave, sepse mënyra e funksionimit të tyre ndikon drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rejçell Gallovej, duke folur për rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve shtetërore, solli shembullin e aplikimit për pasaportë në Britani, të cilin e ka bërë nëpërmjet internetit, dhe për 10 ditë ka arritur në Maqedoni.

Probleme me gjuhën shqipe

Edhe pse u tha se në portalin ku do të integrohen të dhënat e hulumtimeve dhe raporteve nga institucionet shtetërore dhe organizata joqeveritare do të kenë qasje të gjithë qytetarët, një gjë e tillë në praktikë si duket nuk do të funksionojë mirë, për shkak se portali është vetëm në gjuhën maqedonase dhe nuk funksion pa pasur qasje në internet, transmeton Portalb.mk.

Llojin, cilësinë dhe gjuhën me të cilin do të integrohet informacionet në këtë portal, ministri Mançevski ia la vullnetit të institucioneve. Sipas tij, gjuha do të rregullohet pasi që ligji për përdorimin e gjuhëve do të hyjë në fuqi.

“Secili institucion në mënyrë të veçantë do t’i prezantojë të dhënat dhe është përgjegjëse për kualitetin dhe përmbajtjen e tyre. Shikojmë të punojmë në rritjen e kapacitetit të një pjese të madhe të institucioneve, të cilët ende nuk e kanë kapacitetin që të mund të publikojnë të dhëna në më shumë gjuhë. Për momentin punohet në mënyrë paralele për të gjitha këto çështje. Unë besoj, por edhe Qeveria se me hyrjen në fuqi të ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe do të jenë të detyruar që të gjitha institucionet të publikojnë të gjitha setet informative edhe në dy, apo tri gjuhë”, tha Mançevski.

Nga promovimi i portalit "Data.gov.mk"
Nga promovimi i portalit “Data.gov.mk”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button