fbpx

Belgjika tregoi se pse nuk është në rend dite liberalizimi i vizave për Kosovën

Nuk është në rend dite asnjë votim rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, transmeton Koha.net. Kështu ka thënë ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës Didier Reynders, duke iu përgjigjur interesimit të deputetes belge Gwenaëlle Grovonius se kur mund të ndodhë votimi për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Përgjigja e Reyndersit ka qenë ajo që tashmë që e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës por që nuk po duan ta pranojnë disa nga zyrtarët e saj të cilët ende po shohin ëndrra se liberalizimi i vizave do të ndodhë sivjet.

Kështu Reynders me përgjigjen e vet i ka këputur dilemat ose shpresat për këtë:

“Aktualisht nuk është në rend dite asnjë votim në nivel të Këshillit pasi që asnjë shumicë e kualifikuar vendesh ende nuk e ka sqaruar tërësisht këtë çështje. Gjasat që ky votim të ndodhë para vitit 2019 janë shumë të vogla”, ka thënë ai.

Reynders ka folur edhe për qëndrimin e Belgjikës lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë.

“Belgjika tashmë në forume të ndryshme e ka mbështetur politikisht liberalizimin e vizave për Kosovën pasi, nga njëra anë, fjala është për shtetin e fundit të Ballkanit pa të drejtë lëvizjeje të lirë, e nga ana tjetër liberalizimi është objektiv i rëndësishëm për këtë vend e popullin e tij, por duke mos harruar se ky objektiv është po ashtu edhe pjesë e kuadrit të përgjithshëm të politikës evropiane në Ballkan. Kjo me kushtin që të përmbushen kriteret e përcaktuara me udhërrëfyesin ”, ka përfunduar ai përgjigjen Reynders.

Në pyetjen e vet deputetja Grovonius ka përkujtuar se Kosova ka miratuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi si njërin nga kushtet kryesore të BE –së për liberalizmin vizash.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button