Kur do zgjohemi ne?

Pavarësisht faktit se nuk jam aspak pro largimit nga vendlindja dhe shpërnguljes në vende tjera, më duhet të them se ka njerëz në gjendje edhe më të keqe se këta që ikin. Ata që largohen nga vendlindja kanë disa arsye të ndryshme, e që me disa arsye pajtohem e me disa tjera nuk pajtohem. Në aspektin Islam dijetarët këshillojnë se nëse në një vend ka drejtësi dhe siguri atëherë i lejohet muslimanit të jetojë aty. Për momentin, kjo drejtësi dhe siguri është e pjesërishme në Ballkan, ndërsa më e lartë është në vendet perëndimore. Andaj, duke përdorur këto arsyetime dhe disa arsye tjera si ardhmëria e fëmijëve, gati se shumica e popullatës së Ballkanit masovikisht është shpërngulur drejt Europës, gjegjësisht Gjermanisë. Të thuajmë se i kuptojmë këta njerëz dhe nuk do hyjme në detaje tjera rreth kësaj teme.

Tani, problemi kryesor qendron me ne që kemi vendosur të jetojmë këtu në vendin tonë.

Kemi nga ata që e shfrytëzojnë situatën kaotike në të cilën gjendemi dhe duke mos u ankuar aspak, mundohen të përfitojnë sa më shumë nga kjo situatë. Duke u korruptuar vetë dhe duke korruptuar të tjerët si ata, ky grup i njerëzve po pasurohet në dëm të shtetit dhe popullit.
Më në fund arritëm te grupa e cila më shqetëson më tepër. Këta janë ata të cilët aspak nuk pajtohen me gjendjen që e kemi. Ata që duan të shohin ndryshim dhe përmisim të thellë në sistemin ligjorë dhe jetesën në përgjithsi. Por, ajo që nuk e kuptoj tek këta njerëz është mungesa e besimit se diçka do të ndryshojë.

Ta sqarojmë më lehtë këtë problematikë. Kemi ata që nuk pajtohen me situatën të cilën ndodhemi, nuk kanë shpresë se do mund te ndryshojë diçka dhe kështu vendosin të ikin prej këtu. Pastaj kemi ata që përfitojnë nga kjo situatë degjeneruese dhe vazhdimisht mundohen të përfitojnë nga kjo. Dhe janë këta të fundit që nuk pajtohen me situatën, përfitojnë shumë pak apo aspak nga situata, dhe nuk kanë asnjë shpresë se do të mund të ndryshojë gjendja jonë.

E tani mendoj se e keni të qartë problemin e shoqërisë tonë. Nëse ne mendojmë se asgjë nuk do ndryshojë, se gjërat vetëm do të përkeqsohen, atëherë çfarë jemi duke pritur? Të themi se kështu do ndodhë në realitet, asgjë nuk do ndryshojë. Atëherë, në të ardhmen fëmijët tonë do kenë 100% profesorë, mjek, policë, gjykatës dhe teologë me diploma të blera dhe me punësime partiake. Nëse kjo do ndodhë, atëherë pse vazhdojmë të jetojmë këtu?

Mendoj se ka ardhur koha që popullata jonë të tërheqë një vijë të kuqe dhe të vendosë se çfarë do të shkruajë historia më tutje. Ata që nuk kanë shpresa se mund të ndryshohet, le të ikin dhe të provojnë fatin e tyre në vende tjera. Zoti le të jetë ndihmës i tyre që të promovojnë atje vlerat tona fetare e kombëtare, moralin e lartë dhe sjelljen shembullore. Por, ata që kanë vendosur të jetojnë këtu, duhet të besojnë fuqishëm se ndryshimi mund të bëhet dhe të japin kontributin e tyre maksimal për ta ndryshuar këtë gjendje gati të mjerueshme. Nëse nuk do ikim, atëherë le të bëhemi pjesë e ndryshimit. Nëse sot problemi është 70%, le ta ndalim që të mos arrijë 100%, por të mundohemi ta ulim në 50%, 30% deri sa ta largojmë këtë antivlerë nga shoqëria jonë. Përndryshe, fëmijët tanë do të rriten në një shoqëri ku askush nuk është i denjë për profesionin e vet.

Nëse nuk mendojmë se mund të bëhet ndryshimi, atëherë çfarë vlere ka të qëndrojmë në këtë vend? Ose do kontribojmë për ndryshim, ose do vdesim duke u përpjekur. Rrugë tjetër nuk ka!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button