Mustafa kritikon ekipin negociator të Qeverisë për dialogun me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se partia e tij mbështet procesin e dialogut, i cili, sipas tij duhet të përmbyllet me marrëveshje përfundimtare, e cila do të sigurojë njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mustafa këto komente i bëri në një ceremoni për shënimin e 29-vjetorit të themelimit të LDK-së, transmeton REL.

“LDK vlerëson se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet pa cenuar shtetësinë e Kosovës, të përcaktuar me deklaratën e pavarësisë, me Kushtetutën e Kosovës, ndërkaq kufijtë, integriteti territorial, nuk mund të jenë temë e dialogut me Serbinë”, tha Mustafa.

Ekipin negociator për dialogun që ka krijuar koalicioni qeverisës së bashku me partinë opozitare, Partinë Socialdemorkate, Mustafa e konsideroi si “ekip hibrid”.

“LDK konsideron se arnimet të cilat po përpiqen t’i bëjë koalicioni qeverisës, me ekipe hibride dhe jolegjitime, janë shprehje se Qeveria aktuale ka pranuar pafuqinë e saj për dialogun dhe mungesën e shumicës. Arnimi me një parti, që nuk peshon më shumë se 3 për qind të besimit qytetar, nuk mund t’i shitet Brukselit si grup i unitetit me opozitën dhe as përfaqësim me opozitën”, tha Mustafa.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Në këtë dialog, Kosova aktualisht përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi. Qeveria së fundmi ka kërkuar që të marrë rolin prijës në dialog, duke krijuar një ekip së bashku me partinë opozitare, PSD, me qëllim që të bashkëkryesojë këtë proces. Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun politik në Bruksel, ka kërkuar që në fund të këtij procesi, Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila do t’iu hapte edhe perspektivën evropiane të dyja shteteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button