UT-ja e shënoi 50 vjetorin e demonstratave të flamurit të vitit 1968 (FOTO)

Në nderim të sakrificës, vuajtjeve dhe rezistencës  së veprimtarëve shqiptarë në vendin tonë e më gjerë, në shenjë përkujtimi për veprën patriotike të organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratave të flamurit të vitit 1968 në Tetovë, Universiteti i Tetovës në vitin jubilar, 50 – vjetorin e tyre, sot e organizoi Simpoziumin shkencor, me temë: “1968-ta, sfidë e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni”.

Në hapjen zyrtare të punimeve të simpoziumit, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se të marrësh pjesë në këtë ngjarje historike është privilegj, aq më tepër kur mes nesh janë të pranishëm personalitete të dëshmuara që kanë ardhur nga të gjitha trojet tona etnike për shënimin e kësaj date të rëndësishme kushtuar 50-vjetorit të demonstratave të flamurit në Tetovë.

Dekani i Fakultetit Filozofik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibish Kadriu, demonstratat e Tetovës të cilat shpërthyen me 22 dhjetor të vitit 1968, i vlerësoi si një prej ngjarjeve më të shënuara të rezistencës së shqiptarëve, të cilat ishin në mbrojtje të flamurit kombëtar nga dhunimi që e kishin kurdisur dhe provokuar shovinistët sllavo-maqedonas.

Koordinatori i këtij simpoziumi shkencor, Prof. Dr. Musa Musai, tha se ky eveniment me karakter shkencor – përkujtimor, organizohet mbi aurorën e një kontributi të një plejade njerëzish që kanë sakrifikuar për kombin shqiptar.

Referatin tematik kushtuar demonstratave të vitit 1968 e paraqiti profesori Fadil Lushi, i cili këto demonstrata i karakterizoi me katër palë histori.

Në këtë aktivitet, Prof. Dr. Zeqirija Rexhepi e lexoi telegram – urimin e Organizatës Panshqiptare “Vatra”.

Për nder të veprimtarisë kombëtare, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti ndau disa dhurata me portretin e themeluesit – Rektorit të parë e historik të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, për veprimtarët, Fadil Lushin, Shpëtim Pollozhanin, Hydajet Hysenin dhe Çun Lajçin. Po ashtu, Rektori, me rastin e shënimit të 50-vjetorit të demonstratave të flamurit, pjesëmarrësve dhe organizatorëve u ndau mirënjohje për kontributin kombëtar në organizimin dhe përkrahjen  e demonstratave të vitit 1968 në Tetovë.

Hapja solemne e këtij simpoziumi  u përmbyll me një recital nga artisti i popullit, Çun Lajçi dhe interpretimi i këngës “Fryn murrlani me stuhi” nga studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës. Në këtë veprimtari shkencore, morën pjesë studiues të njohur nga vendi ynë, Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe nga trevat tjera etnike shqiptare.

UT-ja e shënoi 50 vjetorin e demonstratave të flamurit të vitit 1968
UT-ja e shënoi 50 vjetorin e demonstratave të flamurit të vitit 1968

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button