Intervistë: Pothuajse 40 vjet nuk ka regjistrim të fondit pyjor

Pylltaria është një nga degët më të neglizhuara ekonomike – nga mos pasja e psuhteve për punëtorët, deri në mungesën e investimeve. NP Pyjet e Maqedonisë vitet e kaluara u shndërrua në byro për punësim, por kryesisht të kuadrove me profesione të tjera, në vend të inxhinierëve të pylltarisë.  Regjistrimi i pyjeve, nga ana tjetër, i cili duhet të tregojë edhe sa na mbeti nga kjo pasuri natyrore, ende po paralajmërohet, konsideron doktoranti i ri Vlladimir Stojanovski, nga katedra për Ekonomikë dhe organizim në pylltari pranë Fakultetit të pylltarisë në Shkup, njofton FRA.

Vlladimir Stojanovski
Vlladimir Stojanovski

Sipas tij, mungojnë debate publike, ndërsa më tepër mungon vullneti politik për zgjidhjen e problemeve të rënda.

“Njoh 10 – 15 kolegë të cilët kanë kryer dhe ende janë në studimet post dimplomike dhe të doktoraturës në fakultetet e reformuara në mbarë Evropën nga sfera e pylltarisë, por për fat të keq, nuk përdoren aspak.  Ekziston rrjet i hulumtuesve tanë që lidhen me të tjerë në nivel nacional, por kjo është si rezultat i entuziazmit të këtyre njerëzve.  Pjesë e madhe e tyre të cilët e ndërtojnë imazhin e pylltarisë maqedonase, nuk janë pjesë e sistemit të pylltarisë.  Veprojnë si vullnetarë, në bazë vullnetare, ndërsa nga aspekti legjislativ janë fantomë.  Mungesa për këta njerëz mungon, si nga aspekti i institucioneve me përfshirjen e tyre në sistemin e pylltarisë, ashtu edhe në nivel aplikativ ku me ndihmën dhe mundin e tyre u miratuan shumë projekte.  Por për shkak të mos pasjes së disa mjeteve minimale për bashkëfinancim ose për shkak të mos m]pagesës së anëtarësimit në shoqata botërore dhe shoqata të tjera nga kjo fushë, ato projekte nuk u realizuan”, thotë ai.

Stojanovski në mënyrë simbolike e paraqet situatën në të cilën gjendet pylltaria, duke e krahasuar me shkronjën SH, shkronjën e fundit në alfabetin maqedonas.

“Për herë të parë me IPA janë parashikuar 1.5 milion euro për sektorin pylltari, nga 15 milion euro të përgjithshme që është e barabartë me 10%, por vallë mjaftojnë?”, pyet ai.

Theksoi se burimi i vetëm i financimit për momentin është nëpërmjet mjeteve nga shitja e lëndëve drusore, të cilat pastaj shpenzohen për pyllëzim.

“Me çdo rishikim në MBPEU e para në sulm është pylltaria”, thotë.

“Regjistrim të fondit pyjor nuk kemi, ndërsa i fundit është bërë në vitin 1979.  Tani, imagjinoni, ne bazohemi dhe e krijojmë të ardhmen e pylltarisë mbi bazë të çfarë?”, thotë Stojanovski, duke theksuar se ky dokument do të tregojë nëse dhe sa janë të rrezikuara pyjet e Maqedonisë.

Fakulteti i Pylltarisë në Shkup së bashku me Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara kanë bërë regjistrimin e përdorimit të masës drusore në vitin 2015, në të cilën kanë përfshirë mbi 600 ekonomi familjare.  Hulumtimi i tyre ka treguar rezultate tmerruese – 2.2 milion kub metër janë shpenzuar për ekonomi familjare dhe industri, që është numër shumë më i madh se 800.000 metra kub të cilat i përmend Enti Shtetëror i Statistikës.

Hulumtimi ka treguar se vetëm 14 përqind e qytetarëve i blenë drurët në kohë , ndërsa mbi 60 përqind i blenë para fillimit të sezonit të ngrohjes.

“Kolegët nga Serbia kanë qasje serioze dhe kanë bërë analizë të detajuar kur panë se ai dru ( taze i prerë) është shumë i dëmshëm për gjeneratën e re (për fëmijët), njerëzit me probleme me zemrën, astmë… dhe mund të ketë cenime serioze mbi shëndetin e njeriut.  Studimi ka treguar se lëngjet e drurit kur vinë në kontakt me zjarrin lëshojnë substanca shumë të rrezikshme”, tha Stojanovski.

Sa para, aq hulumtim

Mos pasja e mjeteve për hulumtim është problem i çdo shkencëtari vendas.  Kështu, rrallë mund të vërehet ndonjë hulumtim i madh, përveç nëse kjo nuk mbështetet financiarisht nga fondacion i caktuar, ose po, shkencëtari ka vendosur vetë të akordojë mjete nga xhepi i tij.

Stojanovski si doktorant i Universitetit për resurse natyrore dhe shkenca të zbatuara në Vjenë ka vendosur të kthehet në Maqedoni dhe me dijen e tij të kontribuojë në katedrën e Fakultetit të Pylltarisë në Shkup.  Por, edhe ai është i dëshpëruar nga realiteti.

“Konkretisht nëse shihni sa mjete nga MBPEU ose nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) ose nga NP Pyjet e Maqedonisë, janë derdhur për hulumtime në Fakultetin e Pylltarisë në Shkup do të shihni se një gjë e këtillë nuk ekziston.  Në punëtorinë e fundit për ndryshimet klimaterike zëvendës ministri i Mjedisit Jetësor përmendi se “Ndryshimet klimaterike nuk janë politikë, kjo është shkencë”, ndërsa para për shkencë nuk ka. Në mënyrë konsekuente, rezultat i kësaj janë rezultatet modeste dhe analizat në lidhje me pylltarinë dhe ndryshimet klimaterike.  Hulumtimet në pylltari lidhen me analiza në teren, ndërsa pa mjete financiare për analiza në teren nuk janë të mundshme, që rezulton në situata – që të merresh me punë shkencore në pylltari, duhet të zbatosh “metoda shumë të improvizuara” thotë ai.

Stojanovski prej çdo herë ka besuar se pylltaria e ka çelësin për të gjitha problemet ekologjike. I përmendi vendet e zhvilluara të cilat theksin e kanë vënë mbi furnizimin me ujë të qyteteve dhe ujin për pije, ndërsa kjo është në relacion të fuqishëm me pyjet.

“Pjesa më e madhe e bioenergjisë vjen nga pyjet së bashku me bujqësinë.  Produkte pyjore jo drusore siç janë kërpudhat, frutat pyjore, barishtet aromatike, çajra të cilët pjesa më e madhe janë të orientuara kah eksporti, lidhen ngushtë me pyjet.  Një pjesë e tyre është shumë vështirë të kultivohen”, tregon ai.

Në lidhje me menaxhimin e pyjeve, Stojanovski vlerëson se politikat pyjore janë plot me të pathëna dhe përputhje.

“Siç është përmendur në Strategjinë për pylltari, në një hapësirë (pyll) ka më shumë menaxhues:  me drunjtë menaxhon – NP Pyjet e Maqedonisë, me kafshët e egra – shoqatat për gjueti (koncesion), me ujërat – ekonomia ujore… E gjithë kjo është përcaktuar nga politika relevante, Unë këtë do ta kisha quajtur karaoke menaxhim (karaoke governance), që do të thotë se – të gjithë e kemi tekstin, të gjithë e dimë këngën, por nuk tingëllojmë njëlloj”, konkludoi Stojanovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button