Shkup, u promovua libri monografik “Demonstratat popullore të vitit 1968 në Tetovë”

Me rastin e 50-vjetorit, sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, promovoi librin monografik “Demonstratat popullore të vitit 1968 në Tetovë”. Libri është përpiluar nga autorët Nebi Dervishi (kryeredaktor), Skender Asani, Xhemil Daci, Isak Sherifi, Sefer Tahiri dhe Sevdail Demiri.

Ekipi i kryesuar nga historiani Nebi Dervishi, ka bërë një përmbledhje historike për gjithë kontekstin e demonstratave, zhvillimin e vetë ngjarjeve dhe pasojat e tyre. Në fillim është përfshirë gjendja e shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë që nga Lufta e Dytë Botërore, e deri në vitet e 60-ta, kur me rënien e Aleksandar Rankoviqit famëkeq nga pushteti, filloi të ndryshojë pak nga pak edhe situata e përgjithshme politike në Jugosllavinë e atëhershme të Titos. Më pas janë përfshirë demonstratat studentore në Evropë, ish-Jugosllavi, Kosovë.

Natyrisht se demonstratat e Tetovës janë strumbullari i gjithë librit, ku janë përshkruar ngjarjet kryesore që lidhen me revoltën studentore dhe gjithëpopullore të shqiptarëve, me kërkesat për barazi kombëtare, shkolla dhe universitet në gjuhën shqipe. Për disa nga personalitetet kyçe të demonstratës së Tetovës është paraqitur nga një biografi e shkurtër, si dhe disa kujtimet nga dëshmitarët. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar shtypit vendor dhe të huaj, ku çështja e demonstratave të Tetovës ishte reflektuar nga kënde të ndryshme. Dhe, pjesa e fundit është e plotësuar me dëshmi-fotografi kryesisht prej faksimileve të shtypit të kohës, në mungesë të foto-grafive autentike nga vetë ngjarja për të cilën po bëhet fjalë në këtë vepër.

Skender Asani

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se sot përkujtojmë demonstratat e 1968-s, në mbrojtje të flamurit dhe dinjitetit tonë kombëtar, duke e paraqitur këtë ngjarje historike nga të gjitha këndet e mundshme, në bazë të dokumentacionit, dëshmive dhe kujtimeve të vetë pjesëmarrësve në të.

“Demonstratat e vitit 1968 në Tetovë, lënduan fizikisht dhe shpirtërisht qindra shqiptarë, të cilët u burgosën, u rrahën, u maltretuan e u survejuan vite të tëra nga organet e sigurimit shtetëror komunist jugosllav. Mirëpo, këto demonstrata e ngritën lartë flamurin e vetëdijes dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare, e cila do të kaliste brezat e ardhshëm për rezistencë aktive kundër padrejtësive të shumta”, deklaroi Asani.

Arbër Ademi

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, tha se demonstratat masive të popullatës shqiptare të Tetovës dhe më gjerë, 50 vjet më parë, ishin një grusht ndaj regjimit të kohës, i cili nuk i përfillte të drejtat kombëtare të shqiptarëve, të cilat garantoheshin edhe me kushtetutë.

“Flamurtarët e vitit 1968, ishin baza te të cilët u sendërtuan idealet e gjeneratave të mëpastajme, për liri dhe barazi të plotë kombëtare të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës politike, shoqërore, arsimore, kulturore, etj.”, u shpreh ministri Ademi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button