Analizë të detajuar deponisë së egër me lindan në Draçevë, kërkoi kryetari i komunës Temellkovski

Jemi duke bërë presion të testohet nëse ka lindan në Pelenicë, për shkak se nuk dëshirojmë të ngelet njollë në atë vend rekreacioni, kurse edhe më pak dëshirojmë të kemi kimikate të patrajtuara “në oborrin tonë”, thotë kryetari i komunës Kisella Vodë, Filip Temellkovski në bisedë për “Meta”, përcjell Portalb.mk.

Ai thotë se të gjitha informatat që i ka Komuna janë prej bisedave me punonjës të  OHIS-it në të kaluarën, por thekson që pjesë shumë e madhe e dokumentacionit të OHIS-it nuk ekziston më.

– Kemi kontaktuar me drejtorin për falimentin, për të parë nëse ekziston dokumentacion konkret, diçka të shkruar. Në dokumentacionin e plotë për OHIS nuk ka asnjë informatë se aty ekziston lindan i depozituar në çfarë do forme apo mënyre. Gjithë problemi është se për shkak të mënyrës si është mbyllur OHIS-i, pjesë e madhe e dokumentacionit nuk ekziston më, dikush duke shpejtuar nuk ka parë çfarë merr. Këtu janë humbur edhe pjesë e dokumenteve që e kanë trajtuar deponinë. Sipas informatave të punonjësve, aty me siguri ka deponi vetëm duhet të testohet se çka është hedhur. Për dallim prej OHIS-it, në këtë lokacion nuk janë bërë basene dhe fuçi janë vendosur drejtpërdrejtë në tokë me atë që, siç më kanë informuar, procesi i shpërbërjes i këtyre fuçive është shumë më i shpejtë se i atyre në basenet në OHIS – thotë Temellkovski.

Deponia e egër është përmendur edhe në Planin Lokal Ekologjik Aksional (2016-2021) për Kisella Vodë, ku është konstatuar se ekziston, por nuk dihet si është depozituar materiali toksik.

“Një prej problemeve më të mëdha të mjedisin jetësor në Komunën Kisella Vodë, e mund të thuhet edhe në territorin e Maqedonisë, të cilat deri tani nuk janë evidentuar dhe përpunuar paraqet deponia industriale e fabrikës kimike OHIS dhe Fabrikës së qelqit Shkup në lokalitetin Pelenicë. Përkatësisht, në 40 vitet e fundit kur industria kimike punonte me kapacitet të plotë, sasi të mëdha të hedhurinave kimike me shkallë të lartë toksicitetit janë hedhur në këtë deponi lokale. Në periudhën e përpunimit të PLEA-s, komuna nuk ka në dispozicion të dhëna të konfirmuara nëse hedhurinat e grumbulluara para shumë vitesh në këtë lokacion gjendet ende në fuçitë prej metali të groposura cekët nën tokë, ose të njëjtat janë derdhur dhe paraqesin rrezik për ujërat nëntokësorë dhe rajonin më të gjerë. Për atë qëllim nevojitet të bëhen hulumtime themelore dhe studim me të cilin do të mund të përkufizohet gjendja, do të bëhej vlerësim i rrezikut dhe do të propozoheshin masa për rehabilitim të dëmeve që eventualisht janë shkaktuar”, qëndron në PLEA.

Temellkovski thotë se PLEA ka qenë i publikuar në vitin 2016 gjatë qeverisjes së pushtetit të kaluar lokal.

– Kam biseduar me shërbimet të cilat e kanë hartuar PLEA-n dhe ato i kanë marrë informatat nga një pjesë e punonjësve në OHIS. Konsideroj se edhe ajo në atë moment është bërë në mënyrë pak joserioze nga ana e komunës madje edhe nga shteti. Kur veç më është konstatuar, dikush është dashur të ndërmerr masa dhe të hetojë atë çështje – thotë ai.

Kryetari i komunës thotë se komuna nuk e ka dokumentacionin dhe kuadrin e nevojshëm për të hulumtuar se çka konkretisht ka në atë lokacion.

– Mos dashtë Zoti, por nëse konstatohet se ka, menjëherë do të dalim publikisht. Megjithatë ne nuk kemi shërbime aq profesionale të cilat mund të na tregojnë se cilat janë hapat e ardhshëm apo të cilët mund të konstatojnë çka dhe si ka në ato vende. Nuk dëshirojmë të shkaktojmë panik, por do të dërgojmë shkresë deri te Ministria për mjedis jetësor, që sa më shpejtë të konstatohet gjendja faktike – thotë Temellkovski.

Ai për “Meta” konfirmoi se Qeveria ka formuar grup punues detyra e të cilit është të testojë çka ka në Pelenicë, por se Komuna Kisella Voda nuk është pjesë e atij grupi vetëm se janë përfshirë disa ministri përkatëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button