OKB vendosi për dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në Jemen

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) miratoi projekt-rezolutën e cila mbështet armëpushimin në qytetin-port të rëndësishëm Hudejde të Jemenit si dhe dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë lidhur me armëpushimin në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një votim në KS-OKB me shumicë votash u miratua projekt-rezoluta e propozuar nga Britania e Madhe një nga anëtaret e përhershme e cila mbështet “vendimin për armëpushim në Hudejde” të arritur në bisedimet e zhvilluara në Stockholm të Suedisë mes Qeverisë së Jemenit dhe rebelëve Huthi dhe i cili parashikon dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në rajon.

Në vendim kërkohet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, krijimi i një mekanizmi për kontrollin e armëpushimit në Hudejde dhe përreth tij si dhe dërgimin fillimisht të vëzhguesve ndërkombëtarë për 30 ditë në rajon.

Vendimi kërkon që vëzhguesit ndërkombëtarë të vendosen në qytetin Hudejde dhe përreth portit brenda 21 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Po ashtu vendimi bën thirrje për hejqen e të gjitha pengesave burokratike për hyrjen në vend të ndihmave humanitare dhe mallrave tregtare, përfshirë edhe naftën e Qeverisë së Jemenit dhe rebelëve Huthi si dhe për vendosjen në zbatim të marrëveshjes për këmbimin e të burgosurve.

Në kuadër të këtij miratimi kërkohet nga Guterres që t’i paraqesë KS-OKB-së raporte javore në lidhje me zbatueshmërinë e rezolutës.

Rebelët Huthi dhe qeveria jemenase njoftuan se palët kanë arritur një marrëveshje për qytetin dhe portin Hudejde, i cili ishte jetik për popullin jemenas pas bisedimeve, të cilat filluan më 6 dhjetor dhe përfunduan më 13 dhjetor. Armëpushimi për Hudejden dhe rrethinën e tij hyri në fuqi më 18 dhjetor.

Sipas OKB-së, në Jemen ku përjetohet një nga krizat më të mëdha njerëzore në botë, rreth 14 milionë njerëz përballen me rrezikun e urisë gjë e cila përkon me gjysmën e popullsisë së vendit. Më shumë se 22 milionë njerëz në vend kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button