Ligji për ASHMAA-në drejt zhbllokimit, ministri Mançevski sot i lavdëroi deputetët e VMRO-së

Ligji për Agjencinë për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA), pas një viti bllokadë në Komisionin për Transport dhe Lidhje nga deputetë e opozitarë të VMRO-DPMNE-së, është drejt zhbllokimit. Ndryshe nga më parë, kur deputetët e VMRO-së merrnin kritika nga ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, sot i njëjti i lavdëroi, transmeton Portalb.mk.

Ministri Mançevski njoftoi se me amendamentet që u votuan sot, krijohet mundësia që partitë të heqin dorë përfundimisht nga mediat.

“Shumë herë kemi thënë se duhet depolitizim i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele dhe radiodifuzuesit nacional, dhe më në fund të krijohet mundësia që të gjithë politikanët t’i largojnë duart nga mediat. Themi krijohet mundësia, do të shohim se sa ne do ta shfrytëzojmë atë gjasë. Kjo çfarë po ndodh sot është në kuadër të paralajmërimeve që u bënë dje nga VMRO-DPMNE-ja. Pas një koh etë gjatë kemi një debat konstruktiv, disa prej amendamenteve janë të pranueshme për ne, disa jo, por konsiderojë se me këtë dinamikë, me shumë gjasë sot, ose ndoshta edhe nesër do të arrijmë ta mbarojmë debatin për amendamentet, dhe të kalojmë në fazën tjetër, votimin e tij në Kuvend. Unë jam i bindur që deri në fund të këtij viti do të arrijmë që ta votojmë ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, dhe ja një mundësi që të përgëzoj sjelljen konstruktive të deputetëve të VMRO-DPMNE-së”, tha Mançevski.

I pyetur se a është zhbllokimi i ligjit për ASHMAA-në rezultat i ndonjë marrëveshje të arritur mes Qeverisë dhe deputetëve të VMRO-DPMNE-së, e njëjta u mohuar nga ministri Mançevski.

“Nuk ka asnjë marrëveshje shtesë, por ajo çfarë e kemi folur, se kemi ardhur në fund të vitit, dhe shpesh herë edhe ne dhe mediat kemi ardhur në situatë që e kemi shkelur ligjin aktual, a kurse kemi vepruar me ligjin e ri. Dhe kjo ishte e dukshme, dhe trysnia u rrit nga mediat dhe organizatat mediatike”, tha Mançevski.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit për Transport dhe Lidhje, Liljana Zaturoska deklaroi se zhbllokimi i procesit të reformave në media, vjen si rezultat se ajo dhe bashkëpartiakët e saj janë etiketuar si bllokues.

“Një kohë të gjatë kemi qenë në negociatat për sa i takon ligjit për Agjencinë për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuele me Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, dhe shpesh herë jemi etiketuar sikur ne jemi bllokuesit më të mëdhenj të këtij ligji. Vlerësuam se duhet të zhbllokohet procesi i reformave në media”, tha Zaturoska.

Ajo sqaroi se nëse ka vërejtje në ligj do të ndërhyhet, por megjithatë shtëpitë mediatike në terren do të mund të veprojnë në bazë të zgjidhjeve ligjore të reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button