Tetovë, mijëra qytetarë bashkë me priftërinj e hoxhallarë kërkuan të largohen kazinot 3 km larg vendbanimeve (VIDEO)

Mijëra qytetarë nën organizim të Lëzjes “Anti-Bixhoz”, bashkë me përfaqësues të bashkësive fetare, partive politike dhe shoqërisë civile, sot në Tetovë me pankarta në duar dhanë porosinë deri te pushteti se janë kundër kazinove në afërsi të vendbanimeve dhe se propozim-ligji i Ministrisë së Financave duhet të ndryshohet, pasi që nuk i përmbush kërkesat e tyre, por të pronarëve të kazinove. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi kërkoi që pushteti qendror t’i japë më shumë kompetenca pushtetit lokal në lidhje me çështjen e kazinove, raporton Portalb.mk.

“Të gjithë deputetët të mos e votojnë ligjin e propozuar nga Ministria e Financave, i cili ua lehtëson funksionimin biznesin e lojërave të fatit, duke i varfëruar qytetarët tonë. Gjegjësisht kërkojmë që i njëjti të ndryshohet nëpërmjet amendamenteve”, thonë nga Lëvizja Anti-Bixhoz.

Protestë kundër kazinove në Tetovë, 21.12.2018
Protestë kundër kazinove në Tetovë, 21.12.2018

Lëvizja Anti-Bixhoz kërkon nga deputetët që të parashtrojnë amendamente për të korrigjuar propozim-ligjin për lojërat e fatit. Ata kërkojnë:

  1. Zhvendosje të të gjitha objekteve të të gjitha objekteve të lojërave të fatit në distancë 3 km nga çdo vendbanim
  2. Nga profiti i bizneseve të fateve të ndahet 5% nga rehabilitimi i viktimave të lojërave të fatit
  3. Të hartohet strategji nacionale për edukim nga dëmet shoqërore që e shkakton bixhozi

“Ky ligj nuk guxon të kalojë pa debat publik, interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi interesat e klaneve mafioze në bashkëpunim me qarqet politike. Reagimi i qytetarëve do të jetë shumë i afërt ndaj atyre që do ta shkelin vullnetin e qytetarëve, kushdo që e voton atë ligj skandaloz”, thonë nga Lëvizja Anti-Bixhoz.

Në protestë sot mbajtën fjalim përfaqësuesit nga Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) e Gostivarit dhe Tetovës dhe Bashkësia Fetare Islame (BFI) Tetovë, të cilët dhanë porosi senzibilizuese dhe kërkuan që ligji i ri për kazinot të mos jetë në dëm të qytetarëve.

“Nëse për diçka që mundet të na bashkojë, ajo është njëra ndër të këqijave më të mëdha në botën që jetojmë, ajo është kumari apo bixhozi. Për atë Kisha Ortodokse e Maqedonisë, e përkrahë këtë iniciativë dhe këtë protestë, kundër kësaj të keqe që shumë të rinj i humbin shpirtrat e tyre, shëndetin e tyre dhe perspektivën e tyre. Sipas mësimeve të kishës sonë, kush robërohet me mëkatin, mëkati atë e robëron. Mënyra e vetme për të fituar është puna e ndershme me duart e tyre jo me kumar”, tha përfaqësuesi i KOM-it.

“Ngremë zërin e arsyes, kërkojmë vetëdijesim, përgjegjësi, ne jemi shumë që e duam jetën dhe vlerat – pak janë ata që nuk i duan vlerat, t’ua zgjatim dorën edhe atyre që t’i largojmë nga devijimet, nga dukuritë që shkatërrojnë shoqërinë dhe të ardhmen tonë, duke miratuar një ligj të mirëfilltë, një ligj që t’i ngjasojë Tetova Zvicrës.  Gjithë e dimë se njeriu erdhi dhe jeton me ligjin bashkë, andaj një shoqëri pa ligj nuk mund të sigurojë mirëqenie dhe një shoqëri e paedukuar, arsimuar dhe e vetëdijesuar edhe ligji është i kotë. Mendoj se askush nuk do të na akuzojë, edhe ata që e shtrinë veprimtarinë se ne jemi edhe për të mirën e tyre. Këtu janë të gjitha strukturat, që nga ato fetare, arsimore e të vendimmarrjes. Andaj, ka ardhur koha nga njerëzit që i kemi përfaqësues tanë që ata ta ndërtojnë murin me ligj”, tha përfaqësuesi i BFI-së, transmeton Portalb.mk.

Protestë kundër kazinove në Tetovë, 21.12.2018
Protestë kundër kazinove në Tetovë, 21.12.2018

Protestën e përshëndetën dhe artistët, gjegjësisht aktori Muzafer Etemi dhe këngëtari i grupit “Elita 5”, Arif Ziberi.

“Shoqërinë tonë po e pllakos murtaja. Dikur murtaja shfaroste njerëzimin, sot kazinot po e bëjnë këtë. Ne i përkrahim Lëvizjen Anti-Bixhoz, do ta keni mbështetjen tonë përherë”, tha aktori Etemi.

“Unë këtu jam për ta përfaqësuar veten time, për ta ngritur zërin për këtë të keqe që i kanoset vendit tonë, besoj se së bashku mund ta kalojmë këtë sfidë”, tha këngëtari Ziberi.

Protestë kundër kazinove në Tetovë, 21.12.2018
Protestë kundër kazinove në Tetovë, 21.12.2018

Pas mbarimit të protestës, para mediave u deklarua edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, e cila me stafin e saj morën pjesë në protestë. Ajo kërkoi nga pushteti qendror më shumë kompetenca për komunat në lidhje me çështjen e kazinove, pasi që sipas saj, problemet ndodhin në komunë, ndërkaq nivelet më të larta të pushtet vendosin për të njëjtat.

“Ne jemi përkrahës dhe mbështetës të kësaj proteste dhe në të njëjtën kohë jemi mbështetur në vendimin e Këshillit Komunal të Tetovës, i cili me vullnet konsensual vendosi që të japë një mendim dhe sugjerim për sa i përket distancimit të këtyre objekteve, nga të gjitha objektet publikë që përfshijnë shkolla, çerdhet, objektet fetare e kështu me radhë. Këtë vendim e kemi dërguar edhe në Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe i njëjti është përkrahur nga BNJVL dhe i është dërguar Qeverisë. Kemi vazhduar të bashkëpunojmë me këto lëvizje për sa i përket çështjeve të ndryshme ku kemi kompetenca. Komuna për fat të keq në këto pjesë të ligjit nuk ka kompetenca, prandaj në të ardhmen duhet që të përfshihen autorizime më të mëdha për komunat, që vetë ata t’i kontrollojnë, pasi që problemet ndodhin këtu dhe dikush prej niveleve tjera vendosën për këto çështje”, tha kryetarja Arifi.

Protesta zgjati rreth 40 minuta orë dhe mbaroi në mënyrë paqësore.

Ndryshe, sipas të dhënave të deklaruara nga Lëvizja Anti-Bixhoz, vetëm në Tetovë minimum 30 kazino dhe mbi 140 bastore sportive funksionojnë në kundërshtim me ligjin për bastore dhe lojërat e fatit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button