A mund të zgjedhë Asambleja e New York një kandidat shqiptar?

Z. Mark Gjonaj, anëtar që nga viti 2011 i komisionit “New York City Taxi & Limousine Commission” mund të jetë zyrtari i parë shqiptaro-amerikan, i zgjedhur në Asamblenë e Nju-Jorkut. Është e domosdoshme që të gjithë shqiptarët e Nju-Jorkut, të regjistruar në qarkun e Bronksit, të votojnë, më 13 shtator 2012, për të vendosur këtë moment historik për shqiptarët. Rrethi nr. 80, që kandidati Gjonaj përfaqëson përfshin këto lagje: Pelham Parkway,Pelham Gardens, Allerton dhe pjesë tëBedfordPark, ku jetojnë shumë shqiptarë. Duhet të angazhohen të gjithë shqiptarët e Nju-Jorkut për të dhënë përkrahjen e tyre.

“Kam një biznes të  suksesshëm, nuk më duhet kjo pozitë. Jam përfshirë, sepse pashë mospërfillje dhe mosveprim nga zyrtarët e pranishëm si dhe burime të papërdorura në Bronks.

Kam nevojë për përkrahjen e çdo votuesi shqiptaro-amerikan më 13 shtator. Kjo do jetë një arritje jo vetëm për komunitetin tonë, por të gjithë rrethin nr. 80 të Asamblesë. I vetmi premtim që mund të bëj është që do të punoj aq shumë sa punojnë çdo ditë banorët e rrethit, sepse këtë e meritojnë njerëzit e komunës”- tha z. Mark Gjonaj.

Në prag të votimeve parësore të Partisë Demokratike, është e rëndësishme për votuesit e Nju-Jorkut të njihen me zgjedhjet e kandidatëve për të dhënë një votë të informuar, që të zgjedhin kandidatin e duhur si përfaqësues në Asamblenë. Kandidatja në pushtet, Naomi Rivera, po ballafaqohet me akuzime të një skandali politik në korrupsion dhe përvetësim fondesh. Dy kandidatët e tjerë  Adam Bermudez dhe Irene Estrada-Rukaj kanë kërkuar dorëheqjen e kandidates  Rivera nga zgjedhjet. Fitorja e Mark Gjonaj do ishte, me të vërtetë, një triumf 
i madh për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Platforma elektorale e z. Mark Gjonaj “Mark Gjonaj Plan” është krijuar me qëllimin për të përkrahur të rinjtë, duke premtuar rritje në programe mësimore dhe për të përkrahur të moshuarit në plotësimin e kërkesave dhe nevojat e tyre. Plani, gjithashtu, premton të zgjerojë programet për banim të lirë, dhe qira të ulët. Z. Gjonaj ka treguar përkushtim ndaj programeve shëndetësore si Medicare dhe Medicaid, që shfaq përkujdesin dhe interesin e tij për të përmirësuar shëndetin dhe sigurinë e banorëve të komunitetit në vend. Z. Gjonaj ka paraqitur 
një kandidaturë të fortë me qëndrimin për forcimin e ekonomisë në Bronks, përmirësimin e programeve edukative lokale dhe disponimin e shëndetësisë për të  gjitha familjet në rrethin e Bronksit.                                                                                                                        

“Përkrahja për z. Mark Gjonaj gjatë fushatës ka qenë shumë e fortë, dhe akoma vazhdon të rritet. Mesazhi i tij është i qartë dhe i fuqishëm për të krijuar vende punë, përkrahur bizneset lokale dhe mbrojtur sigurinë në lagje të Bronksit. Është e domosdoshme që çdo përkrahës i 
z. Mark të votojë me datë 13 shtator sepse ne besojmë se do jetë një zgjedhje shumë e afërt. Telefononi familjen, shoqërinë dhe i kujtoni për votimin, sepse na nevojitet çdo votë”,- tha Emmett Hare drejtori i fushatës zgjedhore për Mark Gjonaj.                                                       Z. Mark Gjonaj e meriton postin në Asamblenë e New Yorkut. Ai ka treguar kujdes të veçantë për banorët e Bronksit, gjithmonë në shërbim të shqiptarëve dhe ka dhënë një kontribut të madh në pasurimin e vlerave kulturore. Si bashkëthemelues i shoqatës “Albanian-American Community Association”, z. Gjonaj ka organizuar shumë ngjarje kulturore dhe historike për shqiptarët e Amerikës. Puna në komisionin “New York City Taxi & Limousine Commission” e ka bërë atë një drejtues të aftë. Z. Mark Gjonaj është një kandidat përparimtar dhe përfaqësues 
i denjë i interesave të banorëve në rrethin nr. 80-të të Nju-Jorkut. /gazetarepublika

Lajme të ngjashme

Back to top button