Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, sfida më e madhe e Maqedonisë për anëtarësim në NATO (VIDEO)

Aleanca për Shqiptarët sot në Tetovë ka realizuar debat me temën “Sfidat e vendit pas ftesës në NATO”, në të cilën u përfundua se ndër sfidat më kryesore me të cilat përballet Maqedonia është zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, ndikimi rus dhe shpërfillja e komuniteteve tjera jomaqedonase, transmeton Portalb.mk.

Këshilltari i kryeministri të Maqedonisë, Zoran Zaev – Ismet Ramadani ka deklaruar se krahas vështirësive që sjell mosvotimi i Marrëveshjes së Prespës, një tjetër sfidë për vendin ngelet edhe ndikimi i Rusisë që me çdo kusht kërkon të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

“Duhet të përshpejtohet çështja e anëtarësimit të Maqedonisë për faktin se është trazuar Rusia kohën e fundit. Në fakt, sa i afrohet Maqedonia NATO-s aq më shumë trazohet administrata ruse, që të pengojë dhe të krijojë këtu struktura të cilat sillen në mënyrë destruktive, siç e bën VMRO-DPMNE-ja dhe disa parti të tjera të vogla maqedonase”, tha Ramadani.

Kryetari i departamentit për mbrojtje dhe siguri pranë ASH-së, Rruzhdi Matoshi, theksoi se në bazë të statistikave nuk ka një përfaqësim adekuat të shqiptarëve gjë që sipas tij flet për një shpërfillje të kualitetit.

“Në Maqedoni momentalisht numri i oficerëve shqiptarë është vetëm 11%. Nga 10 gjeneralë që ka Maqedonia, kemi vetëm një gjeneral shqiptar, që është shumë pak. Nga pavarësia, deri më tani Maqedonia vetëm një atashe në diplomacinë ushtarake e ka shqiptar, në zyrën e NATO-s në Bruksel nuk ka asnjë shqiptar oficer i cili duhet të jetë, d.m.th shihet një shpërfillje e kualitetit”, tha Matoshi.

Ndërkaq koordinatori nacional i Maqedonisë për NATo, Stevo Pendarovski vlerësoi se ndryshimi i qeverisë ka bërë që më tepër shqiptarë të përfshihen në nivelet më të larta të përfaqësimit të vendit.

“Duke u mbështetur në statistika, unë pohoj se përfshirja e shqiptarëve, veçanërisht në nivelet më të larta të menaxhimit me armatën dhe policinë, është më e madhe se më parë, por, nuk bëjmë fjalë vetëm për policinë dhe armatën, sa për herë të parë në shtet në periudhën postkomuniste kemi shqiptare në funksionin më të lartë të shtetit, pra kemi kryetarin e Kuvendit, dhe të mos vazhdoj më tutje me retorikë politike”, tha Pendarovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button