Kryeministri Rama u qëllua me vezë, Kuvendi ndërpreu punimet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u qëllua me vezë nga një deputet i opozitës në seancën plenare të Kuvendit, sapo ai nisi të flasë për protestat e studentëve të universiteteve publike të Shqipërisë, të cilat po vazhdojnë prej 16 ditësh.

Sapo Rama doli në foltore, deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa, u vërsul drejt tij dhe e qëlloi me vezë dhe me letër me bojë. Ai e gjuajti Ramën me dy vezë, njëra prej të cilave e kapi në kraharor, kur tjetra i kaloi mbi kokë.

“E ke nga studentët!”, tha deputeti Hasa duke e gjuajtur me vezë Ramën.

Më pas, Rama u gjuajt edhe me fletushka nga deputetët e opozitës, të cilët sot u kthyen në punimet e Kuvendit, pas bojkotit 6 mujor.

Pjesëtarëe e gardës ndërhynë me të shpejtë dhe morën në mbrojtje kryeministrin, transmeton Ilyriapress.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, urdhëroi përjashtimin e deputetit Endri Hasa dhe kërkoi nga shërbimi i sigurisë që ta nxirrte jashtë sallëse, por deputeti demokrat refuzoi të dalë jashtë Kuvendit.

Shumica socialiste në Kuvend kërkoi përjashtimin e deputetit Hasa, si edhe të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Seanca e Kuvendit u ndërpre disa herë, ndërsa deputeti demokrat nuk pranoi ta lëshonte sallën as pas vendimit të Byrosë së Kuvendit që ai të përjashtohet 10 ditë nga seancat plenare.

Kryetari i Kuvendit, Gramos Ruçi, e ndërpreu seancën dhe caktoi për orën 18 vazhdimin e saj.

Pas ndërprerjes së seancës, deputeti socialist Taulant Balla e publikoi një video, ku pretendon se Lulzim Basha ia dha vezët deputetit demokrat që ta qëllojë Ramën.

Kryeministri Edi Rama, në një reagim në Twitter, e cilësoi si “vështirësi të përshtatjes me rregullat e sjelljes jorrugore” sulmin me vezë ndaj tij.

“Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve, opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jorrugore, po, si duket, e paskan vrarë kohën koteceve, duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve”, shkruan Rama në tëitter.

Në sheshin para Sallës së Kuvendit të Shqipërisë, sot janë mbledhur disa mijëra studentë dhe përkrahës të opozitës, në protestën për të drejtat e stuidentëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button