Maqedoni, Komisioni pranoi amendamentin që Kosova të njihet si shtet fqinj

16:30 – Debat i ashpër në Kuvend mbi amendamentet ndaj ligjit kushtetues. Deputeti i Besës Fadil Zendeli kërkoi që nënshtetësia të jetë e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por amendamenti i tij u refuzua. Komisioni nga ana tjetër miratoi amendament të përbashkët i cili nuk definon përkatësinë etnike. Komisioni pranoi edhe amendamentin që Kosova të njihet si shtet fqinj në ligjin kushtetues, njofton Alsat M.

Ndryshe, ligji kushtetues për miratim të katër amendamenteve për ndryshim të Kushtetutës së Maqedonisë që parashihen me Marrëveshjen e Prespës, sot kanë qenë në rend ditë në seancën e Komisionit për Çështje Kushtetuese, njofton Portalb.mk.

Në seancën e djeshme nuk ka marrë pjesë partia opozitare VMRO-DPMNE, ndërkaq koordinatori i grupit parlamentar i saj, NIkolla Micevski paraprakisht ka njoftuar se nuk do të marrin pjesë në fazat e mëtutjeshme të këtyre ligjeve, sepse siç tha ai, “kjo është vetëm një farsë”.

Në debatin e djeshëm në Komisionin për Çështje Kushtetuese, në qendër të debatit ka qenë përkufizimi i shtetësisë në Nenin 2, Paragrafi 2 ku thuhet se “maqedonas/shtetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Kritikat ishin nga deputetë e partive opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasami, ndaj të cilëve ka replikuar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, duke thënë se intervenimet janë bërë në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Prespës, e cila ka qenë edhe arsye e ndryshimeve kushtetuese, ndërkaq çështjet etnike janë përfshirë në Marrëveshjen e Ohrit.

LEXO: Ndryshimet kushtetuese: Muhamed Zekiri, ASH-ja, BESA dhe grupi i pavarur kanë dorëzuar amendamente të reja

Teksti i ndryshimeve kushtetuese nga momenti i miratimit në Kuvendin e Maqedonisë, e deri te faza pas debateve publike ka pësuar ndryshime në draft-amendamentin XXXIV dhe XXXVI.

Ajo çfarë ndryshohet është teksti final i amendamentit XXXIV-të. Në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë, fshihet fjala ‘që jetojnë në kufijtë e saj’, kjo është e re. Vendimet e KAÇKM-së në Preambulë zëvendësohen me fjalët ‘vendimet juridike që janë sjellë në mbledhjen e parë të KAÇKM-së për popullin maqedonas, për mbajtjen e seancës së KAÇKM-së.

Teksti i amendamentit të XXXVI-të thotë: “Republika i mbron, garanton dhe kujdes, veçoritë, trashëgiminë kulturore dhe historike të popullit maqedonas. Republika i mbron dhe kujdeset për të drejtat e shtetasve të saj që jetojnë dhe qëndrojnë në mërgatë” dhe “Republika kujdeset për diasporën e popullit maqedonas dhe të komuniteteve tjera dhe kujdeset dhe i avancon lidhjet me atdheun”.

I pyetur se pse në tekstin final të draft amendamenteve që janë dorëzuar në Kuvend nuk është edhe kërkesa e opozitës shqiptare që të largohet 20 përqindëshi nga Kushtetuta e Maqedonisë, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski nuk përjashtoi mundësinë që ajo të bëhet pjesë në periudhën që vijon, në debatin në Kuvendin e Maqedonisë.

“Në ndryshimet janë përfshirë edhe një pjesë e sugjerimeve që janë dhënë nga opozita shqiptare. Këto janë ndryshimet, dhe që janë dorëzuar në Kuvend. Kështu që procesi vazhdon më tej, në formën që është paraparë sipas Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Boshnjakovski.

Bëhet fjalë vetëm për pjesën e amendamentit XXXVI, ku është shtuar edhe fjala “dhe të komuniteteve tjera”.

Amendamentet do të votohen më 15 janar, dhe për miratimin e tyre duhet vota “për” e 80 deputetëve, të cilat ende nuk dihet se a janë siguruar.

Para debatit publik, amendamentet ishin siç vijojnë më poshtë:

Amendamentin XXXII – parasheh që: Në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, kurse fjala “Maqedonia” të zëvendësohet me fjalën “Maqedonia Veriore”, përveç në Nenin 36.

Amendamentin XXXIV – parasheh që: Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë fjalët “Vendimet e ASNOM-it” të zëvendësohen me fjalët “Shpallja e seancës së parë të ASNOM deri te populli Maqedonas për mbajtjen e seancës së parë të ASNOM”, pas fjalës “viti” shtohen edhe fjalët “dhe Marrëveshja e Kornizë e Ohrit”, kurse fshihen fjalët “vendosën të”.

Amendamentin XXXV – parasheh që: 1. Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politika të shteteve fqinje, dhe 2. Me pikën 1 të këtij amendamenti plotësohet Neni 3.

Amendamentin XXXVI – parasheh që: 1. Republika e mbron, garanton dhe kujdeset për trashëgiminë kulturore dhe historike të popullit maqedonas.
2. Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të saj të cilët jetojnë dhe qëndrojnë në mërgim dhe i avancon lidhjet e tyre me atdheun.
3. Republika kujdeset për pjesëtarët e kombit maqedonas të cilët jetojnë në mërgatë.
4. Republika gjatë kësaj nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e brendshme të tyre.
5. Me këtë amendament zëvendësohet Neni 49 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button