Ndihma e Shpejtë në Maqedoni, motrat medicinale nuk kanë siguri në punë (FOTO)

Përpos sulmeve fizike, personeli i shërbimit të Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni përballet edhe me shantazhe, problemin e mungesës së uniformës speciale dhe kanë stazh të beneficuar të ulët. Të gjitha këta, sipas motrës medicinale të punësuar në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup, identitetit i së cilës për redaksinë e Portalb.mk është i ditur, janë rezultat i pakënaqësisë së qytetarëve ndaj shërbimit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, mos-respektimi dhe mosvlerësimi adekuat i punës së tyre.

Sulmi fizik ndaj mjekes në Volkovë, nuk është rasti i vetëm që gjatë dhënies së shërbimit të Ndihmës Mjekësore së Shpejtë janë sulmuar punëtorët shëndetësor. Nga rastet që janë publik, kishim rastin kur u sulmua mjeku në Tetovë, është sulmuar mjeku dhe motra medicinale në Çair, si dhe të personelit në Kisella Vodë në Shkup.

“Po, rasti i rrahjes së mjekes nuk është hera e parë që na ndodh neve si të punësuar në këtë shërbim. Ka ndodhur edhe më parë. Ajo vjen si pasojë se qytetarët nuk e marrin shërbimin që e duan. Shpesh herë vonohemi, kjo si pasojë se prishen veturat dhe se veturat janë të vjetra, tha motra medicinale e punësuar në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup.

Ajo thotë që kanë uniforma joadekuate, ndërsa veturat shpesh nuk kanë as klima funksionale dhe mjete dezinfektuese.

“Kushtet mungojnë, duke filluar që nga uniforma në terren e cila duhet të na mbrojë. Kushtet brenda në vetura nuk janë të duhurat. Gjatë stinës së verës dhe dimrit mungojnë klimat, shpesh ndodh që edhe ampulat të ngrihen, të ndryshojnë gjendjen fizike. Mungojnë edhe mjetet dezinfektuese, dorezat, maskat”, vazhdon rrëfimin më tej motra medicinale.

Sa për ilustrim, Kroacia një vend në Ballkan por anëtare e Bashkimit Evropian, ka vetura dhe uniforma ashtu siç dëshirojnë të punësuarit në shërbimin e Ndihmës Mjekësore të Shpejtë në Maqedoni. Fotografitë e NMSH-së së Kroacisë janë të Pixsell / Autor: Marko Lukunic.

Autoambulanca brenda, lartë në Kroaci, poshtë në Maqedoni
Lartë në Kroaci, poshtë në Maqedoni

Stazh i beneficuar që nuk korrespondon me llojin e punës

Motra medicinale thotë se stazhi i tyre duhet të jetë i njëjtë si të i mjekëve e i shërbimeve tjera, ku 12 muaj punë vlerësohen 15 muaj, sepse rreziku në punë dhe stresi që e përjetojnë, ndikon edhe në gjendjen shëndetësore të tyre.

Sipas të dhënave të Ministrisë për Punë dhe Politikës Sociale, rregullorja e punës parasheh që:

– Mjeku i cili ofron ndihmë mjekësore të shpejtë për një vit – 12 muaj llogaritet si 15 muaj;
– Tekniku medicinal (motër, ndihmës-teknik, motër kryesore), të cilët i ndihmojnë motrës në ofrimin e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, 12 muaj punë vlerësohet si 14 muaj stazh dhe
– Vozitës i veturës speciale me 12 muaj punë, vlerësohet me 14 muaj stazh.

Megjithëse ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska ka premtuar se do të formohet komision për verifikim të stazhit të beneficuar, megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Do të formohet edhe Komisioni për vërtetimin e stazhit të beneficuar, i cili konform ligjit është dashur të formohet që në vitin 2012. Qëllimi është që të mbrohen të drejtat e punëtorëve, të cilat konform vendimeve ligjore ekzistuese hyjnë në profesione të rrezikshme, por nuk kanë mundur t’i realizojnë”, ka deklaruar ministrja Carovska në korrik të 2017-s.

Motra medicinale është skeptike se veturat e reja të ndihmës së shpejtë, do të hynë në funksion para se të realizohen punësimet të cilat ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se do të realizohen nga mesi i vitit 2019. Punësimet sipas motrës medicinale, ka 5 vite që premtohen.

Autoambulancat e Ndihmës Mjekësore të Shpejtë/ Lartë në Kroaci, poshtë në Maqedoni

Përndryshe, për të fuqizuar shërbimin e Ndihmës së Shpejtë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi furnizimin e 12 autoambulancave, ku 6 prej tyre janë caktuar të shpërndahen në Shkup dhe 6 të tjera në qytete tjera, mirëpo kjo është bërë në bazë të kriterit që nuk ekziston.

Për rikujtim, shërbimi i Ndihmës së Shpejtë pritet t’i nënshtrohet analizës së fizibilitetit për gjetjen e një mënyrë më të mirë të funksionimit. Analiza kryhet nga një operator nga tre aq sa kanë aplikuar në thirrjen e Ministrisë, mirëpo emrat nuk bëhen të ditura.

Në ndërkohë, Ndihma Mjekësore në Maqedoni funksionon me vetura të vjetra dhe të amortizuara, kurse numri i tyre nuk korrespondon me numrin e banorëve në qytetet e caktuara. Ka pasur raste që në to të kemi edhe humbje të jetëve të njerëzve. Për të shmangur këto situata, Ministria e Shëndetësisë premtoi ndërrim të autoambulancave në bazë të kilometrazhës. Por me këtë nuk pajtohen automekanikët, sepse ato kërkojnë ndërrim të veturave jo vetëm në bazë të kilometrazhës por edhe në bazë të asaj se sa janë të përdorura dhe të amortizuara këto vetura në përgjithësi edhe në relacione më të shkurtëra.

LEXO më shumë për dosjen: Joefikasiteti i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button