Për 27 vite në Maqedoni ka pasur 6 amnisti

Një sërë reagimesh ka shkaktuar në opinionin në Maqedoni votimi i djeshëm i ligjit për amnisti për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar, njofton Portalb.mk.

Çështja kryesore është nëse politikanët me shfrytëzimin e amnistisë si mekanizëm e shkatërrojnë sistemin juridik në Maqedoni varësisht prej momenteve për interesa momentale politike. Përvojat tregojnë se që nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më tani ka pasur gjithsej gjashtë amnisti, gjegjësisht në vendin tonë në çdo 4.5 vjet ka pasur amnisti.

Ligji i parë për amnisti është miratuar në vitin 1991, kur janë amnistuar 907 persona, prej të cilëve disa kanë qenë të burgosur, ndërkaq të tjerët kanë qenë të dënuar me vendime të plotfuqishme, por nuk kanë filluar që t’i mbajnë dënimet me burg.

Në vitin 1999, Kuvendi ka miratuar edhe një ligj tjetër për amnisti. Atëherë plotësisht u liruan nga dënimet kryerësit e veprave penale me të cilat janë shkaktuar nga urrejtja fetare, racore dhe nacionale. Pastaj, edhe disave të dënuarve iu zvogëluan dënimet për 25%, disave për 15%, ndërkaq disa të tjerëve për 10% për armëmbajtje pa leje dhe tregti me drogë. Në fakt, ky ligj u miratua nga marrëveshja politike mes partnerëve të koalicionit në qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH, me të cilin u liruan kryetarët e Komunës së Tetovës dhe Gostivarit, Alajdin Demiri dhe Rufi Osmani, për hapjen e universitetit në gjuhën shqipe në Reçicë të Vogël të Tetovës.

Në vitin 2002, si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, u miratua ligji i tretë për amnisti, me të cilin është parashikuar lirimi nga ndjekja, ndalimi i procese gjyqësore dhe lirim të të burgosurve lidhur me konfliktin e vitit 2001. Nga ky ligj janë përjashtuar vetëm krimet e luftës.

Në vitin 2003 dhe me revizionin e vitit 2004, është miratuar ligji i katërt për amnisti, i cili i ka përfshirë qytetarët të cilët nuk iu kanë përgjigjur ftesës së obliguar për të shërbyer në ushtrinë e Armatës, transmeton Portalb.mk.

Në vjeshtën e vitit 2015 janë ngritur dy iniciativa për miratimin e pesë ligjeve për amnisti, të dorëzuara nga Lidhja Demokratike dhe nga aktivistja qytetare, Meri Nikollova. Aktivistja Nikollova ka arritur që t’i sigurojë 10.000 nënshkrime që propozimi i saj të hyjë në procedurë ligjore, por propozim-ligji nuk është miratuar, pasi që ka parashikuar lirimin e të gjithë personave të cilët e kanë mbajtur 40% nga koha e dënimit, përfshirë edhe vrasësit, pedofilët dhe kryerësit e veprave të rënda penale. Nga ana tjetër, propozimi i Lidhjes Demokratike, i cili gjithashtu ka hyrë në procedurë kuvendore, ka propozuar lirimin ose zvogëlimin e dënimit të kryerësve të veprave të caktuara penale të cilat personat i kanë mbajtur një pjesë ose fare nuk kanë filluar që të njëjtat t’i mbajnë. Kështu, sipas këtij propozimi, është parashikuar që të lirohen të dënuarit për veprat penale “trafikim të emigrantëve” të cilët janë dënuar me dënim me burg deri në 3 muaj, ndërkaq për ata të cilët kanë kryer vepër penale si pjesë e grupit të cilët janë dënuar me burg deri në 6 muaj është parashikuar zvogëlim i dënimit për 50%. Më tej, propozimi ka parashikuar edhe zvogëlim të dënimit për 33% (për pjesën jo të mbajtur të dënimit) për të dënuarit me burg deri në 1 vjet dhe për të dënuarit për veprën penale “marrje dhe dhënie ryshfet”. Për të dënuarit për veprat penale të cilat parashohin burgim deri më 10 vjet (pengim të zgjedhjeve, ryshfet gjatë votimit, vjedhje të rënda, vepra kundër shëndetit dhe mjedisit jetësor, financim të krimit, mashtrime të rënda etj.) është parashikuar zvogëlim të dënimit për 25% nga pjesa e pa mbajtur e dënimit, gjegjësisht për 10% nga pjesa e pa mbajtur (për ata që janë përsëritës të veprave të përmendura(. Në fund, propozimi ka parashikuar që personat në moshë prej 60 vjetëve, dhe të cilët janë dënuar me vepra penale deri në 5 vjet, t’u zvogëlohet dënimi për 40% nga pjesa e kohës që nuk e kanë mbajtur. Megjithatë, amnistia nuk ka qenë e vlefshme për të dënuarit me burg prej 10 vjetëve ose më shumë, të dënuarit me burg të përjetshëm, të dënuarit për vrasje, për vepra kundër shtetit, për vepra kundër njerëzisë dhe të drejtës ndërkombëtare, për vepra penale kundër lirisë gjinore ose moralit gjinor, prodhim dhe tregim me drogë dhe të ngjashme. Propozimi nuk pati shumicë votash në Kuvend dhe nuk u votua.

Së fundi herë, ligj për amnisti u miratua më 15 janar të vitit 2018. Me këtë ligj janë liruar personat e dënuar që u është shqiptuar masa 6-muaj burg, ndërsa ata që kanë dënim më tepër se gjashtë muaj u është zvogëluar 30% nga koha e mbetjes për vuajtjen e dënimit.

Me ligjin për amnisti nuk u liruan personat që janë të dënuar me: burg të përjetshëm, për vepër penale “vrasje”, përdhunim dhe pedofili, për terrorizëm dhe vepra penale kundër shtetit, për vepra penale kundër rendit dhe qetësisë publike, për vepra penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Ligji për amnisti nuk i përfshiu personat të cilët veprat penale i kanë kryer pas 20.09.2017. Sipas statistikave, nga dënimi u liruan rreth 670 të burgosur që janë të dënuar me gjashtë muaj burg, ndërsa 3097 personave u është ulur dënimi për kohën e mbetur për 30%.

Deputetët dje si pjesë e marrëveshjes për pajtim mes pushtetit dhe opozitës për herë të gjashtë miratuan ligj për amnisti me të cilin lirohen nga ndjekja penale, ndalohen procedurat penale dhe plotësisht lirohen nga mbajtja e dënimit me burg të gjithë personat për të cilët kaë dyshim se kanë kryer vepër penale lidhur me ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të viti të kaluar.

“Dispozitat për amnisti vlejnë për personat e dyshuar, akuzuar, të dënuarit me vendim të plotfuqishëm dhe personat që kanë mbajtur dënim me burg për ngjarjet lidhur me ngjarjet më 27 prill të vitit 2017 për të cilët ekziston dyshim të bazuar se kanë marrë pjesë në përgatitjen dhe organizimin e ngjarjeve në Kuvend të Republikës së Maqedonisë ose janë të gjykuar me vendim të plotfuqishëm, a të cilët deri në ditën e hyrjes së këtij ligji në fuqi kanë kryer vepër penale “Shoqërim për shkak veprimtarisë armiqësore” nga neni 324 paragrafi 1 i Kodit Penal, personat e identitet të fshehur të cilët kanë përdorur dhunë fizike, personat që kanë kryer dhunë, personat të cilët në mënyrë të paautorizuar kanë mbajtur armë ose materie spërkatëse dhe personat të cilët kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet zyrtare gjatë kryerjes së veprës penale “Rrezikim terrorist të sigurisë dhe rendit kushtetues” nga neni 313 i Kodit Penal, veprës penale “Vrasje” nga neni 123 i Kodit Penal, veprës penale “Dhunë” nga neni 386 i Kodit Penal”, thuhet në nenin 1, paragrafi 3 i ligjit për amnisti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button