Ali Ahmeti, Amdi Bajrami, Antonio Milloshovski dhe tre deputetë tjerë të VMRO-së nuk votuan për amnisti

Gjithsej 17 deputetë nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në seancën e djeshme kuvendore në të cilën me 95 vota “për” dhe asnjë votë “kundër” është miratuar Ligji për amnisti, me të cilin do të shpëtojnë nga përgjegjësia një pjesë e madhe e të akuzuarve të sulmit në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

Në mes të 17 deputetëve, katër janë nga partia më e madhe opozitare e VMRO-DPMNE-së. Nga atje ende nuk ka shpjegim se pse në seancën e djeshme, një pjesë e deputetëve të tyre nuk votuan në pajtim me qëndrimin partiak.

Mes deputetëve të VMRO-DPMNE që nuk  votuan janë Antonio Milloshovski, Liljana Zaturovska, Dafina Stojanoska dhe Bllagica Llasovska.

Ka refuzuar të votojë edhe deputeti i Partisë Liberale, Goran Milevski, i cili e paralajmëroi këtë gjatë rizgjedhjes së tij për lider të partisë.

Mes atyre që nuk kanë votuar janë edhe Amdi Bajrami dhe Enes Ibrahim nga Partia për Lëvizjen e Turqve.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim përveç kryetarit Ali Ahmeti, për amnisti nuk ka votuar as deputeti Xhevat Ademi.

Nuk kanë votuar deputetët e BESË-s, Afrim Gashi, Tetuta Bilalli, Fadil Zendeli, Rexhep Memedi, Nexhbedin Karehmani.

Të drejtën e tij të votës nuk e ka shfrytëzuar as deputetja e PDSH-së, Meral Ferati Uzeiri.

Ndryshe, sipas ligjit për amnisti për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me 27 prill të vitit të kaluar nuk do t’i përfshijë organizatorët e ngjarjes, personat që kanë kryer dhunë fizike, personat me maskë që kanë kryer dhunë, ata që kanë pasur armë me vete si dhe personat zyrtarë që i kanë shkelur autorizimet zyrtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button