Këto janë personat që pritet të mos amnistohen për dhunën e 27 prillit (DOKUMENT)

Organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit, personat që kanë hyrë me maska, ata që kanë kryer dhunë dhe ata që kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet zyrtare, nuk do të amnistohen me Ligjin e ri për amnisti për ngjarjet dhunshme të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, pritet që deputetët të cilët i hapën dyert të futet turma në Kuvend, të kërkojnë amnisti dhe të lihen të lirë, gjegjësisht mos të ndiqen penalisht, njofton Portalb.mk.

Ligji për amnisti që dje u miratua në Kuvend me 95 vota “Për” përmban gjithsej 5 nene, ndërkaq më shumë merret me atë se kush nuk do të amnistohet. Në nenin 1, në paragrafët 1 dhe 2 fillimisht parashihet amnistimi i të gjithë të dyshuarve, dhe të dënuarve për veprat penale të kryera më 27 prill të vitit të kaluar, ndërkaq më pas në të njëjtin nen, në paragrafin 3, theksohet se cilët persona nuk do të amnistohen.

“Dispozitat për amnisti vlejnë për personat e dyshuar, akuzuar, të dënuarit me vendim të plotfuqishëm dhe personat që kanë mbajtur dënim me burg për ngjarjet lidhur me ngjarjet më 27 prill të vitit 2017 për të cilët ekziston dyshim të bazuar se kanë marrë pjesë në përgatitjen dhe organizimin e ngjarjeve në Kuvend të Republikës së Maqedonisë ose janë të gjykuar me vendim të plotfuqishëm, a të cilët deri në ditën e hyrjes së këtij ligji në fuqi kanë kryer vepër penale “Shoqërim për shkak veprimtarisë armiqësore” nga neni 324 paragrafi 1 i Kodit Penal, personat e identitet të fshehur të cilët kanë përdorur dhunë fizike, personat që kanë kryer dhunë, personat të cilët në mënyrë të paautorizuar kanë mbajtur armë ose materie spërkatëse dhe personat të cilët kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet zyrtare gjatë kryerjes së veprës penale “Rrezikim terrorist të sigurisë dhe rendit kushtetues” nga neni 313 i Kodit Penal, veprës penale “Vrasje” nga neni 123 i Kodit Penal, veprës penale “Dhunë” nga neni 386 i Kodit Penal”, thuhet në nenin 1, paragrafi 3 i ligjit për amnisti.

Sipas kësaj, organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit nuk do të amnistohen, as personat me maska, as zyrtarët policor e as të akuzuarit nga sigurimi i Kuvendit.

Përkthyer në emra, amnistia nuk vlen për:

Të akuzuarit nga MPB

  • Mitko Çavkov, drejtor i atëhershëm i Byrosë për Siguri Publike dhe udhëheqës i Shtabit Operativ me Komandë të Artë
  • Mitko Peshov, epror i Sektorit për Operacione Policore me Komandë të Argjendtë
  • Dushko Llazarov, epror i Sektorit për Polici Uniformuese, i cili ka qenë kujdestar në Shtabin Operativ
  • Oliver Popovski, ish epror i MPB-së
  • Munir Pepiq, zyrtar policor
  • Vlladimir Atanasovski, ish drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim
  • Oliver Radullov, ish agjent i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, dyshohet se i ka vjedhur incizimet e kamerave të sigurisë në Kuvend më 27 prill
  • Sasho Markovski, ish agjent në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, dyshohet se i ka vjedhur incizimet e kamerave të sigurisë në Kuvend më 27 prill

Të akuzuarit nga Sigurimi i Kuvendit

  • Goran Gjoshevski – Levi, shef i sigurimit të ish kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanoski
  • Abdulfeta Alimi, sigurim kuvendor

Të akuzuarit si organizatorë të turmës

  • Stefan Mlladenoski, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Mihaill Mlladenosi, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Zaharie Simovski, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Mlladen Dodevski, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Jane Çento, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Aleksandar Vasilevski – Ninxha, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Nikolla Mitrevski – Kolo, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Dejan Davidovski, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Mitre Pitropovski, organizator i turmës për sulm në Kuvend

Igor Jug, ka mbajtur armë në Kuvend

Të dënuarit për dhunën ndaj Ziadin Sela

  • Kire Georgievski u dënua me 13 vjet burg
  • Oliver Oshavkovski me 10.5
  • Nikollçe Dimitrievski me 10.5
  • Aleksandar Janeveski-Toshta me 13 vjet
  • Andrej Micov me 10.5
  • Nikolla Vojminovski me 13.6
  • Kosta Dellov 10.5 vjet burg

Teorikisht të gjithë 33 të akuzuarit e 27 prillit në afat prej pesë ditëve kanë të drejtë të dorëzojnë kërkesë për amnisti. Gjykata në afat prej pesë ditëve nga pranimi i kërkesës, do të duhet që të miratojë vendim për amnisti. Për shembull, amnisti mund të kërkojnë edhe të akuzuarit apo të dënuarit për veprat që në ligj thuhet se nuk do të amnistohen, për shembull, Aleksandar Vasilevski – Ninxha, por gjykata nuk do ta pranonte kërkesën e tyre pasi që është në kundërshtim me atë që thuhet në ligj.

Neni katër e forcon amnistinë për deputetët që i kanë hapur dyert e Kuvendit për të hyrë turma e dhunshme, por edhe lë hapësirë që të mundet të amnistohen edhe organizatorët e protestave “Për Maqedoni të Bashkuar”, transmeton Portalb.mk.

“Ky përfundim (mendohet në paragrafi 3 të nenit 1) nuk është për kryerësit e veprës penale të nenit 386 – Dhunë, por edhe kryerësit e veprës penale nga neni 324 – Shoqërim për shkak të veprimtarisë armiqësore nga Kodi Penal në lidhje me nenet 18,19,23, 24 nga Kodi Penal”.

Interpretime i kësaj do të thotë se do të ketë amnisti për personat e ndjekur për tentim, përgatitje, nxitje ose ndihmë të dhunës. E njëjta vlen edhe për personat e dyshuar ose akuzuar për tentim, përgatitje, nxitje dhe ndihmë për veprën shoqërim për shkak të veprimtarisë armiqësore.

Për këtë dispozitë thonë se është vendosur që të sigurohet se deputetët e akuzuar në këtë proces, gjegjësisht ata që i kanë hapur dyert e Kuvendit më 27 prill, dhe të cilët janë të përfshirë me këtë amnisti, nuk do të ndiqen për ndihmë gjatë kryerjes së dhunës (neni 386) ose ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale shoqërim kriminel për shkak të veprimtarisë armiqësore neni (324).

Ky nen mund të jetë edhe për udhëheqësit e protestave për “Maqedoni të Përbashkët”, gjegjësisht mbetet e hapur mundësia që të mund të amnistohen:

  • Boris Damovski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Bogdan Ilievski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Vllado Jovanovski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Igor Durullovski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”

Pritet të amnistohen deputetët e VMRO-DPMNE-së:

  • Kërsto Mukoski, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Sasho Vasilevski, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Luben Arnaudov, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Johan Tarçullovski, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Lupço Dimovski, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së

Ligjin e plotë mund ta lexoni më poshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button