GJYSHI

Dola në oborr me topin prej leckave dhe po ngutesha drejt derës së madhe ku më prisnin shokët të luajmë futboll. Nën hije të manit në kopsht, pinte duhan ulur në posteqi gjyshi im.

“Hë, mistrec, kah je nisur kështu”?

“Do të luajmë futboll”…

Gjyshi e lëshoi cigaren në taketuke, e kroi mjekrën dhe tha:

“Jo, sot nuk do të luajsh!… Sot do të dalim në kurtinë të lavrojmë”!…

Barra e turpit më ra mbi supa tepër i rëndë e këmbët thuajse m’u ngjitën për toke. Çfarë do t’u them shokëve tash?  Ndërkohë, njëri nga shokët e hapi derën e madhe e më thërriti:

“A po vjen? U vonuam”!…

Gjyshi u ngrit i bëri disa hapa dhe i tha djalit që më thërriti:

“Shkoni ju! Mistreci sot ka punë”! Pastaj m’u drejtua: “Jepjau at top e le të shkojnë”!

Unë mbeta. Në fyt ndjeja diçka që ma zinte frymën, kurse goja m’u tha. Për shkak të turpit. Isha vetëm dhjetë vjeç, por e ndjeva peshën e rëndë kur dikush të poshtëron para shokëve e ti s’mund të bësh asgjë.

S’kisha si të gjej zgjidhje para një autoriteti të patriarkut të familjes, siç ishte gjyshi im. S’më ndihmonte dot as halla ime që kujdesej për mua, ngase nëna më kishte vdekur moti.

E ndjeva vetminë të tmerrshme si zgërdhihej me mua dhe kohën që nuk ecte. Ndërkohë dolëm në kurtinë, gjyshi përpara, unë pas tij. Atje ishte pllugu, atje ishin duke kullotur edhe qetë. Gjyshi i zuri qetë në zgjedhë e më tha:

“Unë do t’i tërheq e do të kujdesem për qetë, kurse ti mbaje pllugun: Ja kështu”, më tha duke i vedosur dy duart e tij prej katallani në dorëzat e pllugut. “A more vesh”? më tha me atë basin e tij grrithës e të frikshëm i cili i del nga goja vetëm si urdhër!

“Po”, i thashë ngadalë.

“Hajt, pra, t’ia nisim punës” !

Nuk e bëmë as një hulli e gjyshi bërtiti:

“Hooouuu Bardho!… Hooouuuu Kuqo”!… që ishte urdhër të ndalen qetë. Pastaj erdhi dhe pa një pa dy ma kërciti një shpullë të tmerrshme në palë të qafës. “A të thashë, or dreq si ta mbash pllugun?! Dreq”! përsëriti. Mua më rrotullohej pllugu me qetë, më rrotullohej tërë ajo arë, më rrotullohej edhe vetja me një shpejtësi marramendëse dhe më bëhej se po fundosesha në një pus pa fund, kurse gurgullima e përroit që kalonte jo larg lavrës që duhej ta bënim ne më dukej se po qesh me mua. Pastaj gjyshi më urdhëroi: “Dil përpara dhe drejtoji qetë”! Dola pa bërë zë. Qaja pa zë, por lot e pështymë më ishin tharë nga gjithë ajo dhunë e ushtruar mbi mua. U mundova me timen t’i drejtoj qetë, por as kjo nuk zgjati. Gjyshi përsëri bërtiti: “Hooouuu Bardho!… Hooouuuu Kuqo”!… E mora me mend se më priste ndonjë goditje e tmerrshme. Ai e mori një thupër, e kastrakeqi fytyrën dhe po vinte kah unë që mbeta shtang e po prisja goditjen tjetër. Ai m’u afrua dhe… më pshtyu: phuuu! “Qen, bre”! shtoi. “S’bëhesh ti njeri asnjëherë”! E ndjeva erën e thartë të pështymës së tij në fytyrën time, por nuk guxoja të shkoja te përroi t’i laj sytë. M’u bë se edhe luleve, edhe fijeve të barit u vinte keq për mua, edhe zogjve që ishin renditur në degën e një vidhi të thatë në skaj të kurtinës ku ishim afruar me hullinë e bërë. Mendoja se vetëm lulet, bari e zogjtë ishin miqtë e mi. Nëna ime kishte vdekur dhe sigurisht ajo vuante atje në parajsë nga dhuna që përjetoja unë.

Njerëzit gjithmonë janë të njëjtë. Edhe në shtëpinë time, edhe te dajët. Gjithkund gjendet dikush që më thumbon ose ma jep si peshqesh një shqelm ose një shpullë të mirë. M’u kujtuan shokët që vraponin pas topit në lëndinë. Mendova se edhe ata do të hiqnin dorë nga unë dhe do të më shikonin shtrembër duke kaluar pranë meje e duke më lënë në vetminë që m’i tregonte dhëmbët e tmerrshëm. E prehrin e nënës sime ku e kisha sigurinë e kisha humbur përgjithmonë.

Në atë çast, se kah doli një fqinj, moshatar i gjyshit, rrugicës pranë përroit. Ai ia ngriti dorën gjyshit në shenjë përshëndetjeje. Gjyshi, ndërkaq, e thirri:

“Jusuf”! i tha. “Paja, paja”! Dhe, Jusufi erdhi. Për çudi ai m’i përkëdheli flokët.

“A po i ndhmon gjyshit ti qengji i vogël”? më pyeti. Atëherë mua më rrodhën lotët.

“Jusuf, a mundesh bre të më ndihmosh t’i bëjmë nja shtatë-tetë hulli lavër”?

“Po, si jo”! iu përgjigj Jusufi. “Sot jam i lirë. Djemtë më lanë të pushoj”..

Gjyshi pastaj u kthye kah unë:

“Baj bythën ti”! më tha. “Hup”!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button