UT-ja për protestën: Është ndarë buka e gojës që shqiptarët të shkollohen në gjuhën amtare

Në lidhje me protestën e studentëve të mbajtur sot në Tetovë, Universiteti i Tetovës (UT) është deklaruar se nuk ka hezituar dhe nuk do të hezitojë që ta dëgjojë zërin e studentit me çka ka kujtuar se për të populli dhe rinia shqiptare ka ndarë bukën e gojës dhe ka sakrifikuar qenien e vet, që edhe shqiptarët e Maqedonisë të shkollohen në gjuhën e vet amtare, transmeton Portalb.mk.

“Universiteti i Tetovës kurrë nuk ka hezituar dhe nuk do të hezitojë ta dëgjojë zërin studentor dhe të reflektojë për të mirën e studentëve dhe mbarë shoqërisë. Deri më sot, ne i kemi vënë të gjitha mekanizmat, me të cilat disponojmë në frymën e kësaj filozofie, të trasuar nga rinia shqiptare dhe populli ynë fisnik përgjatë periudhave më të errëta historike për kombin tonë, i cili, si asnjë popull tjetër në historinë botërore, ka ndarë bukën e gojës dhe ka sakrifikuar qenien e vet, që edhe shqiptarët e Maqedonisë të mund të shkollohen në gjuhën e vet amtare dhe me këtë, të vihen themelet e mirëqenies së gjithëmbarshme shoqërore dhe kombëtare. Për çdo shqetësim studentor, për aq sa kemi pasur ankesa të bazuara dhe të qëndruara, ne gjithmonë kemi marrë masat e duhura dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm t’i qëndrojmë fisnik këtij parimi human, etik dhe ligjor. Universiteti i Tetovës është i popullit dhe rinisë studentore dhe nuk guxon të bëhet tabelë qitjeje e askujt, aq më pak, e grupeve të caktuara të interesit. Çdo shqetësim, pakënaqësi apo revoltë duhet të zgjidhet institucionalisht, qoftë ajo individuale apo kolektive”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e UT-së.

LEXO: Protesta në Tetovë, MASH: Në rrugë zyrtare nuk jemi njoftuar për kërkesat e studentëve
LEXO: UEJL-i për kërkesat në protestë: Ka 2-3 elemente që mund t’i trajtojmë me studentët

LEXO: Protesta studentore në Tetovë: Të depolitizohet arsimi, s’ka dialog, plotësoni kërkesat (FOTO+VIDEO)

Reagimi vjen pasi që sot në Tetovë kanë protestuar rreth qindra studentë të cilët kanë parashtruar 13 kërkesa drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Qeverisë së Maqedonisë, Universitetit të Tetovës, Universitetit të Evropës Juglinore dhe Universitetit Nëna Terezë.

Kërkesat janë siç vijojnë më poshtë:

1. Subvencionimi ose largimi i pagesës së praktikës dymujore nga Universiteti i Tetovës në vlerë prej 50 euro.
* Zvogëlimi i tarifës për studentët e huaj për 50%.
* Largimi i pagesës prej 100€ për çregjistrim nga universiteti.

2. Të financohet ekskursioni profesional ose largimi i saj si lëndë obligative.

3. Ndalimi i kushtëzimit me blerje të librave për nënshkrim nga ana e profesorëve të caktuar.

4. Furnizimi dhe renovimi i sallave, laboratorëve dhe mjeteve tjera të domosdoshme për studentët.

5. Publikimi i statutit të Universitetit të Tetovës dhe raport-vlerësimi i evoluimit të studentëve që bëjnë për profesorët të jetë në faqen e universiteteve.

6. Statuti i Parlamentit Studentor të jetë në faqen e universitetit. Parlamenti studentor të jetë i pavarur nga rektori dhe partia politike.

7. Largimin e profesorëve të denoncuar për kryerje të ndonjë vepre penale brenda institucioneve arsimore.

8. Rishikimi i titujve akademik dhe verifikimi i plagjiaturave. A është respektuar ligji, koha për kalim prej një titull në tjetër dhe punimet shkencore?

9. Ndalimi i diskriminimit të femrave dhe kushtëzimi i tyre me akte të turpshme në këmbim note.

10. Kërkojmë nga Revizioni Shtetëror, Komisioni për Antikorrupsion, Inspektorati i Arsimit dhe Policia Financiare që të hetojnë çdo shpenzim të buxhetit të universiteteve që plotësohet nga studentët dhe taksapaguesit.

11. Kuadri universitar të marrë mbi vete ndryshimin e plan programeve mësimore, diskriminuese, në të gjitha nivelet e arsimit shqip.

12. T’u ndërpritet ndikimi i emërimit të mësimdhënësve nga partitë politike.

13. Kërkojmë urgjentisht të çlirohen universitetet nga nepotizmi i skajshëm. Në vend të familjarëve, të punësohen profesorë të kualifikuar që do punojnë për interesin e studentëve, e jo për qëllime personale-familjare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button