Shkup, të premtën do të jepet shfaqja për fëmijë e njëqindta me radhë

Qendra Teatrore për Fëmijë – Shkup (QTF) dhe IPL Teatri për Fëmijë Çair (TFÇ), të premten, me fillim prej ora 13:00 në hapësirat e QTF-së në Çarshi të Shkupit, do ta shënojë paraqitjen e shfaqjes së njëqindtë për vitin 2018.

“QTF dhe TFÇ e realizojnë programin e vet në ko-produksion dhe jemi krenar që gjatë këtij viti do t’i tejkalojmë njëqind shfaqje me ç’rast jemi ndër teatrot më aktiv në vend. Këto njëqind shfaqje janë realizuar përmes reprizave të këtyre shfaqjeve për fëmijë: “Në botën e fabulave” – e punuar sipas fabulave të Ezopit, në regji të Besfort Idrizit; “Mullinjtë e erës” nga Jeton Neziraj, në regji të Blerta Rrustemit, “Përralla postare” e punuar sipas tregimit të Karel Çapek, në regji të Katja Petrova dhe “Poshtë krevatit” nga Brendan Murrey, në regji të Besfort Idrizit”, thuhet në njoftimin e QTF-së, përcjell Portalb.mk.

Disa të dhëna statistikore për 101 shfaqjet në përgjithësi dhe për çdo shfaqje në veçanti:

  • “Në botën e fabulave”është luajtur gjithsej 15 herë për publikë rreth 6.170 fëmijë. Shfaqja është luajtur jashtë skenës amë dhe atë në: Kosovë (Ferizaj, Gjilan, Kaçanik dhe Viti), në Bosnjë e Hercegovinë (në kuadër të festivalit multimedial Dimri i Sarajevës 2018) dhe në Komunën e Sarajit.
  • “Mullinjtë e erës”është shfaqur gjithsej 30 herë për publikë prej 3670 nxënësve nga 9 shkolla fillore. Të gjitha shfaqjet janë luajtur në skenën e QTF.
  • “Përralla postare”është shfaqur gjithsej 35 herë për publikë prej 7185 nxënësve nga 31 shkolla fillore nga Shkupi me rrethinë, Tetova dhe Kërçova. Shfaqjet janë luajtur në skenën e QTF, në Tetovë dhe Kërçovë.
  • “Poshtë krevatit”është shfaqur gjithsej 21 herë për publikë prej 2.955 nxënësve prej 10 shkollave fillore. Të gjitha shfaqjet janë luajtur në skenën e QTF.

Nga e gjithë kjo mund të shohim se gjithsej janë luajtur 101 shfaqje për publikë prej 19,980 fëmijëve, që d.t.th. se mesatarisht në çdo shfaqje ka pasur rreth 198 fëmijë në publikë dhe janë përfshirë gjithsej 44 shkolla fillore. Këtu vlen të theksohet që të gjitha shfaqjet janë luajtur falas për çka QTF është edhe laureat i çmimit shtetëror “Nënë Tereza” për humanitet dhe solidaritet njerëzor.

Në këto 101 shfaqje krahas shkollave në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, janë përfshirë këto shkolla fillore nga këto vendbanime: “Liria” – Çair; “Bratstvo Edinstvo” – Konjare; “Koço Racin” – Petrovec; “Vëllazërimi” – Karposh; “Zhivko Brajkovski” – Çair; “Draga Stojanova” – Sopishte, Çiflik, Patishkë dhe S. Petkë; “Naim Frashëri” – Studeniçan; “Liman Kaba” – Luboten; “Bajram Shabani” – Kondovë; “Naim Frashëri” – Studeniçan; “Sami Frashëri” – Gllumovë; “Emin Duraku” – Bukoviq; „Kiril i Metodi“ Stajkovc dhe Straçincë; “Tefejuz” – Çair; “25 Maji” – Hasanbeg; “Panajot Ginovski” – Butel; “Bedri Tairi” – Svillare e poshtme; “Drita” – Rahçe; “Drita” – Kopanicë; “Dituria” – Gërçec; “Ibe Palikuqa” – Bojanë; “Hasan Prishtina” – Çair; “26 Korriku” – Shuto Orizarë; “Kongresi i Manastirit” – Çair; “Jashar Beu” – Çair; “Imri Elezi” – Çair; “Ismail Qemali” – Çair; “Vasill Gllavinov” – Butel; “Petar Zdravkovski Penko” – Butel; “Joakim Kërçovski” – Nikishtan; “Liria” – Tetovë; “Naim Frashëri” – Tetovë; “Migjeni” – Tetovë; “Sande Shterjoski” – Kërçovë; “Naim Frashëri” – Kërçovë; “Faik Konica” – Kërçovë; “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Kërçovë; “Alija Avdoviç” – Batincë; Kopshti për fëmijë “Fidani” – Çair si dhe për fëmijët me autizëm në bashkëpunim me organizatën Imago plus.

“Përkundër gjithë këtij suksesi të arritur brenda këtij viti, përsëri mbeten edhe shumë nxënës, fëmijë dhe shkolla shqipe të papërfshira, të cilëve nuk ju ofrohet mundësia për qasje të barabartë në jetën dhe aktivitetet kulturore, me ç’rast, krahas krenarisë për këtë sukses, na mbetet edhe ndjenja e hidhur që nuk kemi pasur mundësi t’u përgjigjemi të gjitha kërkesave që vijnë nga fëmijët, prindërit dhe pedagogët për të vizituar teatrin dhe për ta pasuruar jetën e tyre kulturore. Ndaj dhe shpresojmë që në vitet e ardhme bashkërisht do mundemi të bëjmë edhe më shumë dhe të mos vetëkënaqemi me këtë sukses”, thuhet në njoftimin e QTF-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button