Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras u nominuan për Çmimin Nobel për Paqe (VIDEO)

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, sot janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2019 për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, me të cilin tejkalohet kontesti mes dy vendeve i cili ka zgjatur më shumë se dy dekada, njofton Portalb.mk.

Nominimin e Zaevit dhe Ciprasit sot në Shkup e ka publikuar fituesja e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2015 Uided Bushamaui.

Ajo tha se Marrëveshja e Prespës tregon se dy shtete bashkë  janë në gjendje të ulen, të negociojnë dhe të arrijnë marrëveshje dhe se ka nderin që t’i nominojë për Çmimin Nobel ër Paqe Zaevin dhe Ciprasin.

“Nominimi nuk është vetëm personalisht për Zoran Zaevin dhe Aleksis Ciprasin, por për të gjithë qytetarët. Ky është modeli për dialog dhe prosperitet. Fuqishëm besoj se Maqedonia ose të them Maqedonia e Veriut dhe Greqia do ta fitojnë Çmimin Nobel për Paqe dhe do të jenë dëshmi për botën se gjithçka mund të arrihet me marrëveshje. Pasi që të ratifikohet marrëveshja do të dërgohet porosi e fuqishme dhe dialogu është i mundshëm”, tha Bushamaui.

Ajo theksoi se ka ardhur në Shkup që ta përkrah këtë mënyrë të arritjes së marrëveshjes dhe beson se do të jetë model për tejkalimin e problemeve në të ardhmen.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras pas nënshkrimit të marrëveshjes së emrit me Greqinë, më 17 qershor në Prespë

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe eurodeputeti Steios Koluglu nga radhët e partisë greke, SIRIZA, i cili dha përkrahje për nominimin e Zaevit për Çmimin Nobel.

Ai tha se nëse do të kishte Çmim Nobel për Luftë, deri më tani Ballkani do ta fitonte disa herë, ndërkaq Marrëveshja e Prespës është e mira e vetme dhe pozitive që momentalisht vjen nga Evropa, e cila është e ndarë dhe po përballet me probleme.

“Marrëveshja e Prespës është marrëveshje që zgjidh kontestin e vjetër, jo vetëm për emrin, por edhe siguron zgjidhje përfundimtare për çështjen maqedonase. Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras arritën marrëveshje për të cilën duhej guxim dhe i vendosën interesat shtetërore mbi ata partiake”, tha Koluglu.

Rektori i universitetit “FON”, Nano Ruzhin, tha se sot promovojmë dy liderë të cilët anë arritur që të dalin nga modeli i politikanëve ballkanikë.

“Prej këtu nobelistja Bushamaui zyrtarisht do t’i propozojë Komitetit të Nobelit në Oslo që t’i nominojë Aleksis Ciprasin dhe Zoran Zaevin për fitues të Çmimit Nobel për Paqe. Besoj që iniciativa do të ndiqet edhe nga miq tjerë”, tha Ruzhin.

Pas ceremonisë në Shkup, më 19 dhjetor, Bushamaui dhe Kologlu udhëtojnë në Athinë, ku do të takohen edhe me kryeministrin Aleksis Cipras, që zyrtarisht t’ia kumtojnë nominimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button