Propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë, opinioni i painteresuar për të dhënë vërejtje dhe sugjerime

Kanë mbetur vetëm dy ditë afat që opinioni të japë propozime, sugjerime apo vërejtje për propozim-ligjin për regjistrim të popullsisë, i cili momentalisht është i publikuar në Regjistrin e Vetëm Nacional Elektronik (RVNE) për debat publik, njofton Portalb.mk.

Ndonëse në opinion ka pasur shumë reagime për këtë propozim-ligj, megjithatë edhe pse kanë kaluar 18 ditë nga debati publik, këto vërejtje ende askush nuk i ka dërguar në RVNE, gjegjësisht aty nuk ka ende asnjë koment.

“Deri më tani, nuk ka pasur asnjë koment. Nëse do të ketë, natyrisht që do t’i shqyrtojmë dhe për të njëjtat do të deklarohemi”, thonë për Portalb.mk nga ESSH.

Të interesuarit që duan të japin vlerësime, sugjerime apo vërejtje për propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë, mund të shkruajnë: KËTU.

Nga Ministria e Drejtësisë deklarojnë se ata e kryejnë vetëm çështjen teknike dhe se pasi të mbarojë debati publik, atëherë, nëse ka komente të njëjtat do t’u dërgohen Entit Shtetëror t’i shqyrtojnë, ndërkaq nëse nuk ka atëherë ata do ta dorëzojnë për procedurë të mëtutjeshme në Qeveri.

Zyrtarisht, propozim-ligjin e përgatit Enti Shtetëror për Statistika (ESSH), ndërkaq për shkak se ky institucion nuk ka të drejtë për të propozuar ligj, atëherë propozues është Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht ky resor ka rol teknik.

Nëse do të ketë komente dhe sugjerime gjatë këtyre dy ditëve, atëherë ESSH të njëjtat do t’i shqyrtojë dhe pas shqyrtimit, i jep dritë jeshile Ministrisë së Drejtësisë ta dorëzojë propozim-ligjin në Qeveri.

Qeveria më pas duhet ta miratojë dhe më pas ta dërgojë në Kuvend, ku do të ketë mundësi që deputetët të dorëzojnë amendamente për të korrigjuar këtë propozim-ligj.

Ndryshe, sipas propozim ligjit të ri, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave duhet të bëhet prej 1 deri më 21 prill të vitit 2020.

Kontestuese në këtë propozim-ligj shihet të jetë mënjanimi i grafës etnike, gjegjësisht gjatë regjistrimit nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e qytetarëve. Shumica e partive kanë deklaruar se janë kundër këtij propozimi, përveç BDI-së, që thotë se nuk ka ndonjë shqetësim, por të bëhet ligj i pranuar për të gjitha palët.

Por, sipas profesorëve universitarë, nëse gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 nuk do të merret parasysh përkatësia etnike e popullatës, regjistrimi rrezikon të dështojë sikur në vitin 2011, ndërkaq hapet mundësia që në mungesë të numrave zyrtarë të bëhen lojëra me numra të paverifikuara dhe me këtë do të shkelej parimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (MKO) për përfaqësim të drejtë dhe amendamenti VI i Kushtetutës së Maqedonisë, i cili thërret në përfaqësim adekuat dhe të drejtë të qytetarëve të cilët u takojnë bashkësive të ndryshme etnike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button