fbpx

Ndryshimet kushtetuese: Muhamed Zekiri, ASH-ja, BESA dhe grupi i pavarur kanë dorëzuar amendamente të reja

Në kuadër të afatit të paraparë pas përpilimit të tekstit final nga Qeveria e Maqedonisë, janë dorëzuar edhe shtatë amendamente kushtetuese. Dy nga partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarë, një nga Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, një nga deputeti i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Muhamed Zekiri dhe tre nga grupi i pavarur parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, njofton Portalb.mk.

Ziadin Sela dhe Surija Rushidi nga Aleanca për Shqiptarët kanë kërkuar që në Nenin 2, Paragrafi 2 fjalët “maqedonas/qytetarë”, të zëvendësohen me fjalët “qytetarët”, ku siç kanë sqaruar, ajo bëhet që të ketë trajtim të barabartë të deklarimit të shtetësisë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Ata kanë kërkuar që të shtohet edhe Neni 1 dhe kanë propozuar që ai të thotë: “Kufijtë shtetëror të Republikës së Maqedonisë është kufiri i saj aktual me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Bullgarisë, Republikën e Greqisë, Republikën e Serbisë dhe Republikën e Kosovës”, ku siç kanë sqaruar kjo bëhet për shkak se Republika e Maqedonisë e ka njohur si shtet Republikën e Kosovës.

Në të njëjtin Nen, ndërhyrje kanë kërkuar edhe Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli nga Lëvizja Besa, të cilët kërkojnë që në këtë paragraf të shkruajë: “Nga dita e hyrjes në fuqi të amendamentit XXXIII, qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Në Nenin 1, ndërhyrje ka kërkuar edhe Muhamed Zekiri nga LSDM-ja, ku propozoi që në fund të fjalisë të shtohen fjalët “që nuk e përkufizon, apo nuk prejudikon përkatësinë etnike të qytetarëve”.

Amendament të ngjashëm kanë dorëzuar edhe nga grupi parlamentar i pavarur i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, të cilët kanë kërkuar që në Nenin 2, Paragrafi 2 pas fjalës “Maqedonia”, të shtohen fjalët “me çka nuk e përcakton përkatësinë etnike të qytetarëve”, ku siç sqarojnë nga ata, amendamenti ka për qëllim që të bëhet dallim ndërmjet përkatësisë kombëtare dhe shtetësisë.

Ata kanë kërkuar edhe ndryshim të Nenit 1, Paragrafi 2, të thotë: “Amendamentet XXXIII dhe XXXVI e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë nuk nxisin veprime juridike, nuk hynë në fuqi dhe janë të pavlefshme derisa nuk përmbushen kushtet e parashtruara në Paragrafin 1 të këtij Neni”.

Pragrafin 1 të Nenit 1, grupi parlamentar i pavarur i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit kanë kërkuar që në fund të fjalisë të shtohen edhe fjalët “dhe Kuvendi i Republikës së Maqedoni menjëherë të veprojë në ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”.

Përndryshe sot në Komisionin për Çështje Kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë do të debatohet edhe për katër draft-amendamentet kushtetuese të tekstit final të Qeverisë së Maqedonisë, të cilat parashihen me Marrëveshjen e Prespës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button