Përfshirja e serbëve, sfidë për FSK-në

Forca e Sigurisë së Kosovës edhe pas miratimit të ligjeve nga Kuvendi i Kosovës për transformimin e saj në ushtri, do të vazhdojë t’i mbajë dyert e hapura për pranimin e pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë, përfshirë edhe pjesëtarët komunitetit serb, konfirmojnë zyrtarët e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se politikat për gjithëpërfshirje në këtë forcë do të vazhdojnë edhe më tej, për shkak se vetë FSK-ja është shumetnike dhe e besueshme, e cila do t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve dhe të gjitha grupeve etnike në Kosovë.

Sipas tij, Ministria e FSK-së dhe institucionet tjera do të vazhdojnë të promovojnë të drejtat dhe mundësitë e qytetarëve serbë, që të jenë pjesë e kësaj force.

“Kjo sigurisht është çështje, në të cilën Forca ka treguar sukses të deritashëm, hiq këtu presionet dhe kërcënimet e fundit që i kanë bërë struktura të caktuara të Serbisë dhe të krimit të organizuar ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së. Por, në bindjen tonë është e qartë se në periudhën e ardhshme do të ketë vazhdimisht rritje të numrit të pjesëtarëve serbë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke u bazuar në interesimet e përgjithshme që komuniteti serb ka për të qenë pjesë e FSK-së. Pra, ne do të vazhdojmë politikat e njëjta dhe dyert e hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi Ramadani.

Që nga pranvera e këtij viti, një numër i madh i pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë braktisur radhët e kësaj force, nën presionin e autoriteteve të Beogradit. Këto të fundit, publikisht u kanë kërkuar pjesëtarëve serbë të FSK-së që ta braktisin atë, duke thënë se institucionet e Kosovës duan ta shndërrojnë FSK-në në ushtri dhe që pjesëtarët serbë të kësaj force t’i çojnë drejt vëllavrasjes.

Që atëherë, plotësimi i kuotës prej 5 për qind të përfshirjes së pjesëtarëve të komunitetit serb në FSK, është parë sfidë për këtë forcë, si dhe për institucionet e Kosovës në përgjithësi.

Veroljub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që përfshirja në kuotën e dëshiruar të serbëve në FSK, do të jetë sfidë e madhe për institucionet e Kosovës. Sipas tij, e gjithë kjo çështje, është politike dhe në rast se, siç thotë ai, përmbushen disa elemente të Marrëveshjes së Brukselit dhe nëse stabilizohet situata politike, ekziston mundësia për një marrëveshje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë rast, kjo e fundit, do të mund ta jepte dritën e gjelbër për hyrjen e pjesëtarëve serbë në FSK.

“Ekziston një e dhënë, e cila nuk po publikohet. Asnjë serb nga veriu i Kosovës nuk e ka braktisur Forcën e Sigurisë së Kosovës. Asnjë. Të gjithë që e kanë braktisur janë nga ana jugore e lumit Ibër. Por, sipas informacioneve të mia, asnjë nga veriu nuk e ka braktisur. Kjo do të thotë që politika është ngulitur thellë në gjithë këtë rrëfim. Tashmë ekzistojnë pasojat pas transformimit të FSK-së që do të zgjatë rreth 10 vjet. Kjo është sfidë e madhe për institucionet e Kosovës, e në veçanti për Ministrinë e FSK-së. Kur të kalojë kjo krizë politike, do të ekzistojë mundësia që serbët të hyjnë në FSK”, tha Petroniq.

Megjithëkëtë, zëvendësministri Ramadani, thotë që Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vetë kjo forcë, ka vazhduar që të ofrojë angazhimin për të gjitha komunitetet, përshirë edhe atë serb. Sipas tij, deri më tash, FSK-ja ka pasur me dhjetëra operacione humanitare në komunitet.

“Operacionet e tilla humanitare, mbështetje të tilla për komunitetin, do të vazhdojnë. Kjo besojmë që është formë e qëndrueshme e punës sonë me komunitetet, pra, edhe me komunitetin serb në Kosovë. Sa u përket aspekteve të presioneve dhe qëndrimeve politike, qofshin brenda apo jashtë Kosovës, nuk besoj që ato do të jenë vendimtare në periudhën e ardhshme, për shkak të angazhimit dhe rritjes së besueshmërisë së komunitetit serb për FSK-në. Megjithëse se ky besim është ende në fazën fillestare, por ka rritje të vazhdueshme të besimit”, tha Ramadani.

Por, besimi i komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas Petroniqit, do të varet nga sinqeriteti i kësaj force dhe institucioneve të Kosovës ndaj vet komunitetit.

“Ka ndodhur shpeshherë që ai sinqeritet ka qenë vetëm deklarativ. Kjo shihet edhe lidhur me çështjen e respektimit të Ligjit të dygjuhësisë, të përkthimit dhe të mjaft gjërave tjera. Nevojitet vullnet i madh politik nga të dyja anët, në mënyrë që të arrihet deri te një integrim i vërtetë në institucionet e Kosovës, në qoftë se këto të fundit vërtetë e duan një gjë të tillë”, theksoi Petroniq.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur 103 pjesëtarë serbë, para se një numër i madh i tyre ta braktisin këtë forcë. Pas ndryshimeve ligjore për FSK-në, pritet që në këtë forcë të përfshihen 250 pjesëtarë të komunitetit serb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button