Ambasada turke: Transformimi i FSK-së në ushtri “një e drejtë sovrane”

Ambasada e Turqisë në Prishtinë ka përshëndetur projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, duke e konsideruar këtë veprim si “një e drejtë sovrane” për Kosovën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes rrjeteve sociale, ambasada turke në Prishtinë ka theksuar se si vend i Ballkanit dhe anëtare e NATO-s, Turqia kontribuon në KFOR dhe FSK.

“Duke marrë në konsideratë ligjet e miratuara nga Parlamenti i Kosovës më 14 dhjetor për transformimin e FSK-së në ushtri si një e drejtë sovrane, (Turqia) gjithashtu i konsideron deklaratat nga autoritetet kosovare të përshtatshme që procesi i transformimit, i cili pritet të zgjasë me vite, do të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe gjithëpërfshirëse të të gjitha komuniteteve të Kosovës brenda kornizës kushtetuese, në koordinim me NATO-n dhe në një mënyrë që do të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka theksuar ambasada turke.

Më tej, në përputhje me rëndësinë që i jep paqes dhe stabilitetit të rajonit, shkruan ambasada, “Turqia do të mbështesë vazhdimin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Në seancën e së premtes, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri si dhe projektligjin për shërbim në FSK.

Sot FSK-ja numëron rreth 2.500 pjesëtarë aktivë, ndërkaq pas arritjes së kapaciteteve të plota operacionale FSK do të ketë 5.000 pjesëtarë aktivë dhe 3.000 pjesëtarë rezervë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button