Obama autorizon mbështetjen ndaj rebelëve sirianë

Presidenti amerikan, Barack Obama, autorizoi mbështetjen sekrete për rebelët sirianë, vë në pah një raport i mediave, të cilin e citon agjencia e lajmeve DPA.

Vendimi ishte nënshkruar gjatë muajve të kaluar dhe ia lejon CIA-së dhe agjencive të tjera t’u ofrojnë forcave opozitare mbështetje të fshehtë, raportoi të mërkurën mbrëma CNN duke cituar zyrtarë anonim të Shteteve të Bashkuara.

Natyra e ndihmës nuk specifikohej, por raporti citoi burimet diplomatike të kenë thënë se Shtetet e Bashkuara po e vinin në dispozicion inteligjencën e tyre për veprimet e trupave siriane, transmeton Evropa e Lirë.

Pas disa dështimeve të Këshillit të Sigurimit në miratimin e një rezolute për krizën në Siri, administrata amerikane pat paralajmëruar se do të rriste mbështetjen për veprimet anti-qeveritare në këtë vend.

Mësohet, në ndërkohë, se Uashingtoni do të shtojë diku 10 milionë dollarë në fondin ndihmës për rebelët duke e çuar në 25 milionë dollarë shumën e kontributit të tij për Sirinë.

Një video e publikuar një ditë më parë, ndërkaq, tregonte rebelët duke vrarë disa të burgosur-njerëz besnik ndaj regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Assad./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button