Basha: PD, në pushtet me zgjedhje, jo me dhunë! Ja si rrëzohet Rama

Kryetari Lulzim Basha ka theksuar gjatë fjalës së tij në punimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së se, pavarësisht kërkesave të shumë prej të pranishmëve kërkojnë organizimin e protestave masive për rrëzimin e qeverisë, qoftë edhe me dhunë, PD-ja sipas tij nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma, por përmes zgjedhjeve, transmeton Top Channel.

“Ka edhe në media dhe në publik zëra të fuqishëm që e propagandojnë këtë ide. Është absolutisht e drejtë kushtetuese dhe liria e çdokujt që të protestojë kundër qeverisë. Partia Demokratike mbështet dhe nxit çdo lloj proteste për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse. Është absolutisht detyrimi ynë t’i përkrahim, mbështesim dhe madje t’i prijmë këto protesta, atëhere kur është e mundur. Këtë ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë kundër keqeverisjes, krimit dhe korrupsionit”, tha Basha.

Veçse sipas tij, PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma, apo me mjet tjetër përveçse me zgjedhje.

“Demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh. Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrike e tepsi. Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët e ndershëm e të pafajshëm si mish për top për të ardhur në pushtet. Kurajo është të punosh për ditë, çdo ditë, për të kërkuar llogari, drejtësi e ndryshim, për të bindur njerëzit për këtë ndryshim”, u shpreh BAsha.

Duke përsëritur se, sa më parë të largohet nga pushteti Edi Rama, aq më mirë do të jetë për Shqipërinë; sa më larg të jetë dita e largimit të tij, aq më zi do të jetë për Shqipërinë, Basha tha se me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie, nuk ka shtet, nuk ka Shqipëri!

“Por unë jam i bindur se për të rrëzuar Edi Ramën nuk ka nevojë për dhunë. Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti duke e goditur një herë me top. Edi Rama rrëzohet: duke i rezistuar atij përditë; duke kundërshtuar përditë keqqeverisjen e tij; duke protestuar përditë; duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Shkozës; duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Unazës; duke iu bashkuar protestës së qytetarëve për Teatrin; duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Kukësit; duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Himarës; duke iu bashkuar protestës së studentëve; duke iu bashkuar protestave të qytetarëve, biznesit të vogël, fermerëve, që po shpërthejnë ccdo ditë nën shembullin e kurajos së studentëve; duke iu bashkuar çdo proteste, çdo ditë, kundër çdo padrejtësie”, tha Basha.

Në fund, ai shprehu bindjen se Rama rrëzohet duke denoncuar krimet e tij përditë, duke diskredituar ministrat e tij injorantë dhe hajdutë përditë, e duke demaskuar dhe braktisur klientët e tij hajdutë përditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button