Kryesia thërret seancë të jashtëzakonshme për rezolutën e dialogut me Serbinë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme, sot në orën 14:00, për të votuar draft-rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate, që ka të bëjë me parimet dhe udhëheqjen e pjesëmarrjes së Kosovës në dialogun me Serbinë, njofton REL.

Në këtë dokument kërkohet që çdo marrëveshje eventuale me Serbinë të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës, dhe se çështja e kufirit të Kosovës me Serbinë të mos vihet në diskutime.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha para gazetarëve se Kosova nuk i frikësohet dialogut dhe se dialogu duhet të përfundojë me njohje.

“Pas një vendimi historik ditën e djeshme, për formimin e ushtrisë së Kosovës, Kosova po ecë përpara drejt finalizimit të tërësishëm të shtetësisë së vet. Ajo çfarë po bëjmë sot, do të jetë një seancë e jashtëzakonshme e cila ka të bëjë me dialogun, më konkretisht, ka të bëjë me ndaljen e ofenzivës së Vuçiqit dhe Serbisë, për tu paraqitur të moderuar para bashkësisë ndërkombëtare dhe për të treguar se Kosova ka zotësi, ka legjitimitetin dhe ka mundësinë t’i përgjigjet çdo sfide”, tha Veseli.

Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, nuk mori pjesë në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur për këtë rezolutë.

“Kjo rezolutë është përpjekje e dështuar për të mbuluar koalicionin e fshehtë që kanë me PAN-in. Duhet ta kenë të qartë të gjithë se pa legjitimitet, nuk ka dialog. Nuk mund të ketë kurrfarë platforme që del mbi Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të simulojmë ekipe për dialog, pasi ekip për dialog është vetëm Qeveria që ka legjitimitet, që të flas në emër të qytetarëve. Rrjedhimisht, grupi jonë parlamentar nuk merr pjesë në seancë”, tha shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Qeveria ka propozuar që kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj të marrë rolin e kryesuesit të ekipit negociator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button