Ndihma e Shpejtë, Oda e Mjekëve pa qëndrim për modelin e privatizimit të shërbimit

Një nga organizatat më të vjetra dhe me më shumë përfaqësues të mjekëve në Maqedoni, Oda e Mjekëve nuk ka qëndrim për atë se a është më mirë të privatizohet Ndihma Mjekësore e Shpejtë, transmeton Portalb.mk.

“Nuk e dimë fillimisht a do të privatizohet, prandaj edhe nuk kemi qëndrim për këtë çështje”, thanë shkurtë nga OMM-ja.

Portalb.mk insistoi të marrë qëndrim për atë se “a do të ishte një model i mirë privatizimi, në aspekt të statutit të mjekëve që punojnë në këtë shërbim”, por as për këtë nuk dhanë vlerësim.

“Duhet të shohim se kush do ta kryejë analizën e fizibilitetit, prandaj nuk dihet se a do të privatizohet. Pasi Ministria të japë informacion për ndërmarrjen që do ta kryejë analizën, atëherë do të reagojmë”, thanë më tej nga OMM-ja.

Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë do t’i nënshtrohet analizës së fizibilitetit për gjetjen e një mënyrë më të mirë të funksionimit. Analiza do të kryhet nga një operator, prej tre sa kanë aplikuar në thirrjen e Ministrisë, mirëpo emrat nuk bëhen të ditura.

Për të fuqizuar shërbimin e Ndihmës së Shpejtë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi furnizimin e 12 autoambulancave, ku 6 prej tyre janë shpërndarë në Shkup me kriter i cili nuk ekziston, dhe 6 të tjera në qytete tjera. Veturat ende nuk janë në përdorim, ndërkohë që në këtë shërbim u paralajmëruan 100 punësime gjatë vitit 2019.

Ndihma Mjekësore në Maqedoni funksionon me vetura të vjetra dhe të amortizuara, kurse numri i tyre nuk korrespondon me numrin e banorëve në qytetet e caktuara. Ka pasur raste që në to të kemi edhe humbje të jetëve të njerëzve. Për të shmangur këto situata, Ministria e Shëndetësisë premtoi ndërrim të autoambulancave në bazë të kilometrazhës, gjë me të cilën nuk pajtohen automekanikët, sepse ato kërkojnë ndërrim të veturave në bazë të kilometrazhës në qytetet jashtë Shkupit, e kurse në Shkup ajo të bëhet në bazë të përdorshmërisë.

LEXO më shumë për dosjen: Joefikasiteti i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button