Ndihma e Shpejtë, Toçi: Përmirësimi i shërbimit mund të bëhej me investim shumë të vogël

Në një projekt të tillë hyhet pa një analizë të detajuar dhe pa debat publik. Opinionit nuk iu janë plasuar informacione se ku bazohet që realizohet ky projekt.” Kështu vlerëson gazetarja e cila ndjek me vite sektorin e shëndetësisë, Mençe Toçi në lidhje me analizën e fizibilitetit që është duke u realizuar nga Ministria e Shëndetësisë për gjetjen e modelit të funksionimit të shërbimit të Ndihmës Mjekësore të Shpejtë, transmeton Portalb.mk.

“Në Ndihmën e Shpejtë mungojnë kuadër dhe vetura, gjë që shumë lehtë mund të zgjidhen, me një investim të vogël, pa u shkatërruar mënyra e funksionimit aktual”, shprehet ajo për Portalb.mk.

Analiza e fizibilitetit me partneritet publik – privat, sipas gazetares Toçi nuk është reformë që do ta afronte Maqedoninë drejt Bashkimi Evropian dhe nuk përkon me sistemin shëndetësor, i cili sipas saj në 90 për qind të rasteve është solidarizuese.

“Mendoj se duhet të mendohet mirë para se të ndërmerren këto hapa. Ndoshta në botë ka këso modele, por ne kemi sistem shëndetësor specifik, i cili 90 për qind bazohet në solidaritet dhe nuk  duhet të krahasohet me shtetet tjera”, tha Toçi.

Ajo nuk përjashton mundësinë që analiza e fizbilitetit të Ndihmës së Shpejtë të sjellë edhe te privatizimi i Ndihmës së Shpejtë, e cila do të rëndonte xhepin e qytetarëve.

“Personalisht vlerësoj se partneriteti publik-privat në pjesën e Ndihmës Mjekësore të Shpejtë është thikë me dy tehe, sepse privatizuesi i cili do të investojë atje, duhet të ketë profit. Kush do të jetë profiti për të? Si do ta kthejë atë që do ta investojë dhe si do të arrijë profit ekstra? Ndihma e Shpejtë nuk është veprimtari profitabile, atje nuk ka incizime dhe analiza të shtrenjta. A do të thotë kjo se pacientët do të rrëzohen dhe do të qëndrojnë në rrugë, nëse nuk kanë të paguajnë”, tha Toçi.

Për të fuqizuar shërbimin e Ndihmës së Shpejtë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi furnizimin e 12 autoambulancave, ku 6 prej tyre janë shpërndarë në Shkup me kriter i cili nuk ekziston, dhe 6 të tjera në qytete tjera. Veturat ende nuk janë në përdorim, ndërkohë që në këtë shërbim u paralajmëruan 100 punësime gjatë vitit 2019.

Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë do t’i nënshtrohet analizës së fizibilitetit për gjetjen e një mënyrë më të mirë të funksionimit. Analiza kryhet nga një operator nga tre aq sa kanë aplikuar në thirrjen e Ministrisë, mirëpo emrat nuk bëhen të ditura.

Ndihma Mjekësore në Maqedoni funksionon me vetura të vjetra dhe të amortizuara, kurse numri i tyre nuk korrespondon me numrin e banorëve në qytetet e caktuara. Ka pasur raste që në to të kemi edhe humbje të jetëve të njerëzve. Për të shmangur këto situata, Ministria e Shëndetësisë premtoi ndërrim të autoambulancave në bazë të kilometrazhës, gjë me të cilën nuk pajtohen automekanikët, sepse ato kërkojnë ndërrim të veturave në bazë të kilometrazhës në qytetet jashtë Shkupit, e kurse në Shkup ajo të bëhet në bazë të përdorshmërisë.

LEXO më shumë për dosjen: Joefikasiteti i Ndihmës Mjekësore të Shpejtë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button