Zaev për ushtrinë e Kosovës: E di se edhe qëndrimi i NATO-s është ai, nuk është koha

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, lidhur me votimin e Kuvendit të Kosovës për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, ka deklaruar se nuk është koha e duhur dhe se nuk na nevojiten “tensione të reja” në Ballkan, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Zaev, i cili mori pjesë në konferencën kombëtare të kryetarëve të komunave “Decentralizimi: Rruga përpara”, është pyetur të komentojë mbi miratimin e tre projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Unë e di se edhe qëndrimi i NATO-s është ai… nuk është koha. Nuk na nevojiten tensione të reja, edhe një herë të mos harrojmë se Ballkani nuk ka ndërmend të jetë përsëri fuçi baruti. U bëj thirrje kolegëve, kryeministrave, presidentëve të vendeve, t’u kushtojnë kujdes, sepse përgjegjësia jonë e përbashkët si gjashtë vende të Ballkanit, që kemi aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është ta përmirësojmë bashkëpunimin ekonomik, zhvillimin rajonal, të sigurojmë paqe të përjetshme këtu dhe të kemi integrim në Bashkimin Evropian”, deklaroi Zaev.

Kryeministri maqedonas bëri thirrje për të rishikuar masat e marra nga qeveria e Kosovës lidhur me imponimin e taksave doganore mbi produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

“U bëj thirrje që edhe ato masat që ekzistojnë në pjesën e doganës dhe të ngjashme, t’i rishqyrtojmë, të kthehemi, t’i respektojmë organizatat ndërkombëtare dhe marrëveshjet që kemi, sepse ajo është përgjegjësi e jona për të rritur bashkëpunimin. Nëse politikanët janë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre, në hapat e tyre, unë mendoj se kjo pjesë e Ballkanit, përfshirë Maqedoninë, por edhe fqinjët, do të lëvizim në drejtimin e duhur”, tha Zaev.

Kujtojmë se në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.

Votimi i projektligjeve të sotme pritet të dekretohet nga presidenti Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button