KTHIMI I MID’HAT FRASHËRIT

Më në fund Mid’hat Frashëri (1880-1949) u kthye në Atdhe, kurse Shqipëria lau borxhin ndaj Titanit që luftoi një jetë të tërë për ta parë atë shtet të lirë dhe brenda kufijvë të natyrshëm.

Mid’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Naimit e Samiut, bën pjesë ndër personalitetet më të shquar të jetës shoqërore, politike e kulturore shqiptare të kohës së tij. Ata që ia njohin veprat e çmojnë kontributin për alfabetin e shqipes; për pavarësimin e shtetit shqiptar më 1912; për përpjekjet e vitit 1914 për një Shqipëri evropiane, të shkëputur nga e shkuara e zymtë; për promemorjet drejtuar fuqive të mëdha, që synonin zhbërjen tonë nga faqja e dheut; për krijimtarinë origjinale letrare, për veprimtarinë e tij si drejtues revistash e autor shkrimesh shumë të veçanta eseistike e publicistike; për ngritjen e një Instituti të mirëfilltë të shkencave albanologjike; për luftimin e kolerës bolshevike dhe për një mori bëmash të tjera të dobishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ky njeri i jashtëzakonshëm ka bërë shumë për çështjen shqiptare, po unë po ndalem në shkrimin e botuar frëngjisht, me titull: “Aneks i memories për Presidentin Uilson”, të njohur për mbrojtjen e Shqipërisë, ndoshta në periudhën më kritike të saj. Shkrimi është qa aktual, sa duket se Mid’hat Frashëri e shkroi tani pasi u kthye të prehet përjetësisht në tokën e të parëve.

Në Aneks memorie, Ai kërkon nga Presidenti amerikan që të angazhohet për një Shqipëri të qëndrueshme, e cila mund të jetë e tillë vetëm pas riparimit të dëmeve që iu bënë në Konferencën e Berlinit (1880) dhe atë të Londrës (1913); e akuzon Rusinë cariste, që, bashkë me sllavët e jugut dhe grekët, çdo lëvizje kombëtare shqiptare e paraqesin si sulm kundër sllavizmit dhe helenizmit…, mashtrim ky që u përkrah dhe prej disa fuqive të mëdha të asaj kohe…; i thotë se është momenti që Konferenca e tanishme e paqes (Konferenca e paqes në Paris, e mbajtur më 28 qershor 1919) ta zgjidhë çështjen shqiptare, duke shfrytëzuar dobësimin e politikës Austro-Hungareze dhe shkatërrimin e perandorizmit moskovit…; se: Pretendimet serbe mbi Shqipërinë dhe pushtimi i vilajetit plotësisht shqiptar të Kosovës më 1913 ishin vdekjeprurëse për të. Serbia që realizoi unitetin e saj kombëtar nëpërmjet krijimit të një Jugosllavie të madhe, duhet të heqë dorë përgjiothmonë nga krahinat shqiptare, të cilat janë dhe kanë qenë përherë toka shqiptare. (Shiko kufijtë etnografikë të Shqipërisë të cilat duhet të jenë gjithashtu edhe kufij politikë); se: Greqia përfiton pjesë ta pasura nga eneksimi i ishujve dhe nga privilegjet në Azinë e Vogël dhe për asnjë shkak nuk duhet të ushqejë synime imperialiste mbi Epirin (Shqipërinë e Jugut)…

Në vijim, Mid’hat Frashëri kërkon që Konferenca e madhe e tanishme duhet ta dijë se pushtimi i Vlorës nga ana e Italisë është e barabartë me zhbërjen e Shqipërisë nga harta e botës, ndaj kërkon që  të mos tolerohet asnjë ndërhyrje e jashtme në tokat shqiptare.

Në pikën e shtatë të Aneks memories, Ai i thotë Presidentit amerikan se për krijimin e një Shqipërie në kufijtë e saj etnografikë, duhet një ndërhyrje e jashtme mirëdashëse dhe pa interes.  “Kjo ndihmë duhet t’i jepet Shqipërisë nga një fuqi jo direkt e interesuar në Ballkan, për një periudhë disa vjeçare (p.sh. 5 vjet), dhe ne mendojmë se Republika e madhe Amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin duke e realizuar këtë mision”.

Në fund fare, Mid’hat Frashëri ia ofron Presidentit Uilson të dhënat mbi kufijtë etnografikë të Shqipërisë, që duhet të jenë dhe kufij politikë të saj.

Besoj se edhe kaq mjafton për ta kuptuar sa largpamës ka qenë Mid’hat Frashëri, alias Lumo Skëndo, kur i është drejtuar më këtë letër Presidentit Uilson dhe, nëpërmjet saj, edhe SHBA-së, e cila një shekull më pas, veçmas me përkrahjen e paluhatshme për formimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës, po e sendërton në praktikë një pjesë të kërkesave të titanit Mid’hat Frashëri.

Është interesante se e tërë kjo po ndodh në rrethana gati identike, si ato të kohës kur u shkruajt Aneks memorja e liberatorit shqiptar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button