Kuvendi i Kosovës e miratoi tranformimin e FSK-së në ushtri

Kuvendi i Kosovës me shumicë absolute ka miratuar tre projektligjet për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, raporton Anadolu Agency (AA).

Tre projektligjet u votuan në shqyrtim të dytë, pas çka pritet të dekretohen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.

“Me këtë votim sot fillon një epokë e re për shtetin tonë, nga ky moment zyrtarisht e kemi ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e FSK-së që nga ky çast janë ushtarë të Kosovës të cilëve iu uroj ushtrinë e Kosovës. Urime ushtarë, prej sot Gaditu”, deklaroi pas votimit kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Projektligji i parë për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes u votua me 107 vota për dhe një abstenim, me anë të të cilit përcaktohet organizimi dhe kalimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes neë kuadër të Qeverisë.

Projekt ligji i dytë për transformimin e FSK-së në ushtri u votua me 106 vota për, ndërsa me të përcaktohen kompetencat, organizimi dhe funksionimi i FSK-së si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës, si dhe interesave të Kosovës që i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

Projektligji i tretë për shërbim në FSK u votua me 105 vota për, me anë të të cilit rregullohen kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

Në votimin e projektligjeve të pranishëm ishin 107 deputetë nga gjithsej 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës. Deputetët e Listës Serbe, të cilët kundërshtonin transformimin e FSK-së në ushtri, nuk ishin të pranishëm në seancë.

Përveç kabinetit qeveritar dhe deputetëve, në seancë të pranishëm ishin edhe presidenti Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, si dhe gjeneralë dhe kadetë të FSK-së.

Kujtojmë se më 13 shtator Qeveria e Kosovës miratoi dhe ia procedoi Kuvendit tre projektligjet për transformimin e FSK-së. Kjo ndodhi pasi që nuk u arrit që ky transformim të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese për shkak të kundërshtimit të deputetëve serbë. Sipas procedurës, për ndryshime kushtetuese nevojitej miratimi nga dy të tretat e gjithsej 120 deputetëve të Kuvendit, si dhe pëlqim nga dy të tretat e 20 deputetëve të grupeve të tjera etnike, që e përbëjnë 10 deputetë serb, si dhe 10 nga komuniteti turk, boshnjak, ashkali e goran. Pas këtij procedimi, më 18 tetor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim tre ligjet për transformimin e FSK-së në ushtri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button