Filloi Samiti i Liderëve të BE-së, Brexit-i kryeson rendin e ditës

Në kryeqytetin belg Bruksel filloi Samiti dyditor i Liderëve të Bashkimit Evropian (BE) me pjesëmarrjen e 28 vendeve anëtare, të cilat do të fokusohen në tema si Brexit-i, politika e jashtme, ekonomia dhe uniteti financiar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratat e liderëve përpara samitit, në plan të parë u shfaq mesazhi se nuk është e mundur të ndryshohet Marrëveshja e Brexit-it e arritur muajin e kaluar midis Britanisë dhe BE-së.

Kryeministrja britanike Theresa May adresoi çështjen e votëbesimit në partinë e saj dhe tha se tashmë duhet përqëndruar në votimin e marrëveshjes.

May theksoi se në Britani dhe BE janë duke u bërë përgatitje për një “skenar pa marrëveshje” dhe shtoi se arritja e marrëveshjes do të jetë në dobi të të dyja palëve.

“Në samitin e liderëve të BE-së, unë do të përcjell shqetësimin e deputetëve britanikë për garancitë politike dhe ligjore. Nuk mendoj se do të bëjmë përparim të shpejtë, por shpresoj se mund të punojmë për garancitë e nevojshme”, tha May, duke kujtuar se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vendin e saj do të mbahen në vitin 2022 dhe konfirmoi se në këto zgjedhje ajo nuk do të kandidojë si kryetare e partisë.

Nga ana tjetër, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se përveç temave mbi buxhetin, në samit do të diskutohen edhe tensionet në rritje midis Rusisë dhe Ukrainës, Serbia dhe Kosova, si dhe Brexit-i.

“Ne nuk mund të ndryshojmë Marrëveshjen e Brexit-it, e cila u pranua nga 27 shtetet anëtare të BE-së”, theksoi ajo, duke lënë të hapur mundësinë për të diskutuar garancitë shtesë për të cilat ka nevojë Britania.

Po ashtu, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se është e mundur të realizohet një debat politik rreth Brexit-it, por tha se “nuk mund të rinisen negociata për një marrëveshje që është ligjërisht detyruese”.

Kancelari i Austrisë Sebastian Kurtz gjithashtu vuri në dukje se është e pamundur të realizohen negociata për Brexit-in, por shtoi se është e mundur që detajisht të diskutohen marrëdhëniet midis BE-së dhe Britanisë të cilat do të ndërtohen në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button