Meta ktheu buxhetin; Reagon Rama: Përpjekje për të penguar dialogun

Për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë, një President i Republikës rikthen për shqyrtim në Parlament buxhetin e shtetit, transmeton Top Channel. 

Përmes një njoftimi për shtyp, Presidenca njofton se Kreu i Shtetit, Ilir Meta nuk ka dekretuar ligjin për buxhetin e vitit 2019 dhe kjo nisur nga situata politike në vend. Në argumentimin e tij, Presidenti vlerëson konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si të drejta, legjitime dhe të realizueshme. Sipas tij, kthimi për rishqyrtim i buxhetit synon interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama në Tëitter: “Interesant! Presidenti kthen buxhetin e Shqipërisë pas prezantimit të kërkesave të LSI-së. Asnjë çudi! Vazhdon papushim e në çdo formë presioni mbi studentët për të qëndruar në kor kundër dialogut. Miq! Dilni nga kurthi i atij kori dhe bëhuni individë që flasin në emër të vetes”.

Ndërkohë, më herët në Kuvend u rikthye edhe opozita pas disa muajsh bojktot. Ajo kishte mandatuar disa deputetë për të kërkuar ndryshime ligjore në favor të studentëve. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së kërkoi futjen me përparësi për shqyrtim të propozimeve të bëra nga partia e tij për ndryshimin e buxhetit për plotësimin e kërkesave të studentëve.

Ndërkohë, Partia Demokratike kërkon rrëzimin e krejt ligjit për arsimin e lartë.

Jashtë listës së mandatuar nga opozita në Parlament u rikthye dhe deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, e cila përmes një postimi në Facebook thotë se nuk ka thyer ajo rregullin, ndërkohë, sipas saj, ajo thjesht kishte bërë detyrën si deputete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button